Gjashtë pikë më pak se vjet, Partizani i Lerdës krenohen me distancën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 23:06

Gjashtë pikë më pak se vjet, Partizani i Lerdës krenohen me distancën

Partizani i drejtuar nga trajneri Franko Lerda i ka të dhënat më të ulëta se sa skuadra e drejtuar vjet nga Skënder Gega në 13 javët e para të kampionatit. Gjithsesi, Partizani i Lerdës ka diçka të rëndësishme që e dallon për mirë nga skuadrat e sezoneve të shkuara, madje edhe ajo e sezonit të fundit që u shpall kampion.

partizani

Diferenca me ndjekësin më të afërt, që për momentin është Kukësi, është në katër pikë, ndërsa vjet pas 13 javëve të para të kuqtë kryesonin, por ishin vetëm dy pikë para Skënderbeut të vendit të dytë. Skuadra e trajnerit italian i ka të dhënat e tjera në nivel më të ulët sesa ajo e Skënder Gegës në 13 javët e para. Partizani aktual ka 6 pikë më pak sesa vjet në të njëjtën periudhë kohore.

Në 13 javët e para të këtij sezoni të kuqtë kanë pësuar tetë gola, ose e thënë ndryshe tre më shumë se e njëjta periudhë kohore e edicionit të titullit. Skuadra e Lerdës ka shënuar një gol më shumë se vjet, por sërish mungon një bomber që të bëjë diferencën. Te “demat” ka një shtrirje golash në të tria repartet, duke filluar nga mbrojtësi Egzon Belica, që ka shënuar dy herë, deri te Çinari dhe Asani që janë golashënuesit më të mirë me 3 gola.

STATISTIKAT AKTUALE

Partizani i trajnerit Franko Lerda ka arritur shatë fitore deri tani, ku katër i ka si pritës dhe 3 në transfertë. Humbjet janë dy, por në shtëpi nuk e kanë provuar shijen e disfatës deri tani. Barazimet janë katër, 3 në shtëpi dhe një në trasfretë me Flamurtarin, barazim i cili u përjetua si humbje te “demat”. Sa i përket shënimit të golit të parë, të besuarit e trajnerit Lerda mesataren e kanë më të mirë në transfertë se brenda. Mesatarja e golit të parë të shënuar jashtë është në 27 minuta, ndërsa brenda e kanë këtë të dhënë në 29 minutat e para.

Sa i përket golit të pësuar, më shpejt e pësojnë jashtë se në shtëpi. Mesataren e pësimit të golit të parë në shtëpi e kanë 57 minuta, ndërsa jashtë në 50 minutat e para. Golat e shënuar janë 16 në këto 13 javë, ku nëntë i kanë realizuar si pritës dhe 7 jashtë fushe. Të kuqtë e kanë mesataren e shënimit 1.23 gola për ndeshje. Golat e pësuar janë tetë, 3 në shtëpi dhe 5 në transfertë, me një mesatare pësimi 0.62 gola për ndeshje. Në pesë javë portieri Alban Hoxha e ka mbajtur të paprekur porotën, në katër raste si pritës dhe në një rast jashtë fushe.

Partizani ne shifra

Tri janë ndeshjet ku të kuqtë nuk kanë arritur që të shënojnë, një në shtëpi në barazimin 0-0 me Kukësin, dhe dy herë në transfertë. Fitorja më e thellë e të kuqve në këto 13 javë kampionat është sigluar në shifrat 3-1, që është arritur në dy raste, një herë në shtëpi ndaj Skënderbeut dhe në Shkodër ndaj Vllaznisë.

Intervali kohor nga minuta e 15-të deri në të 30-ën mbetet çerekorëshi më rezultativ për të shënuar për të kuqtë, pasi në këtë minutazh ata kanë realizuar, 31.2 % të golave, ose 5 prej 16 golave në total. Çerekorëshi i fundit i pjesës së parë mbetet më i dobëti sa i përket realizimit të golave nga Partizani i trajnerit Lerda.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"