Gega analizon 2 humbjet ndaj Mariborit: Rezultat i gënjeshtërt, jam krenar për skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 19:37

Gega analizon 2 humbjet ndaj Mariborit: Rezultat i gënjeshtërt, jam krenar për skuadrën

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka pranuar se skuadra e tij ka ende shumë punë për të bërë. Në konferencën e djeshme pas ndeshjes me Mariborin, ku të kuqtë kanë humbur në shifrat 2-0, ai është shprehur: “E deklarova që në fillim që do të ishte shumë e vështirë për ne, pasi kishim përballë një skuadër mjaft të mirë.

gega ibrahimi

Ne kemi punuar shumë përgjatë kësaj periudhe, por e dinim që nuk do të ishte e lehtë pas rezultatit që regjistruam në takimin e parë. Kemi akoma shumë punë për të bërë me skuadrën. Jam shumë optimist për të ardhmen e këtij ekipi. Ndihem shumë krenar për lojtarët e mi. Do të dëshiroja që t’i bënim edhe të tjerët krenarë, por ky është futbolli”, tha fillimisht tekniku.

KRAHASIMI

Trajneri që është ulur javët e fundit në stolin e Partizanit ka bërë edhe një krahasim mes ndeshjes së parë të luajtur në Tiranë dhe asaj të luajtur dje. “Ndeshja e parë me të dytën mendoj se ishin të ndryshme. Ne kemi ndjekur disa ndeshje të Mariborit nga sezoni i kaluar dhe në shtëpi është një ekip që luan mjaft mirë.

U përpoqëm të mbyllnim hapësirat mbrapa dhe mendoj se ky nuk ishte rezultati i drejtë për atë që ne dhuruam, edhe pse Maribori e meritoi kualifikimin në fund. Kemi besuar deri në fund se mund të arrinim një rezultat pozitiv. Shpresat nuk i humbëm përgjatë gjithë 90 minutave. Pas pjesës së parë, gjithçka u vështirësua edhe më shumë si rezultat edhe i takimit të parë, por megjithatë ne u përpoqëm, luftuam me shpirt.

partizani2

Dy rastet e goditjes së traversës ishin tregues, që nuk pajtoheshim me rezultatin. Sigurisht, bëmë disa gabime dhe tashmë do të na duhet t’i përmirësojmë që në të ardhmen të mos i shfaqim më. Jam shume i surprizuar që i gjithë stadiumi në fund duartrokiti për lojën e ekipit, me këtë rast falënderojmë Mariborin për mikpritjen dhe suksese në aventurën e tyre , ky është mesazhi “fairplay” që futbolli transmeton”, ka vazhduar trajneri.

TIFOZËT

Kishin udhëtuar për kilometra të tëra dhe trajneri i të kuqve ka pasur edhe një falënderim për tifozët dhe shpreson që ata të mos jenë të zhgënjyer pas këtij eliminimi. “Tifozët tanë janë të mrekullueshëm. Ata e mbështesin kudo skuadrën. Prezenca e tyre na dha forca dhe energji për t’u paraqitur sa më mirë. Ne i dimë problemet tona, e dimë ku mund të shkojë kjo skuadër. Përballë kishim Mariborin, një skuadër aspak e lehtë. Tashmë kemi një muaj kohë për t’u përgatitur për sezonin e ri. Këto dy përballje ishin një test shumë i madh për ne”, ka përfunduar trajneri Gega në deklaratën para gazetarëve.

ARMAND HALILI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"