Gavës i dhimbset Elbasani, por do fitoren e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2020 | 23:27

Gavës i dhimbset Elbasani, por do fitoren e Lushnjës

Lushnjarët kanë shansin e mirë për të reaguar menjëherë pas humbjes me Orikun, teksa presin Elbasanin në stadiumin “Roza Haxhiu”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla synon vetëm fitoren në këtë takim të lehtë në letër, duke shpresuar të fitojë sa më shumë terren në tabelën e renditjes, pasi rivalët e Lushnjës dhe Pogradecit përplasen mes tyre.gAVA

GAVA – Afrimi i fundit i verdhejeshilëve në lëvizjet e janarit, mesfushori elbasanas Orgest Gava, për ndeshjen e nesërme shprehet: “Për Elbasanin kam respekt maksimal, sepse është ekipi ku hodha hapat e parë si futbollist. Më vjen shumë keq për gjendjen që po kalon, pasi është në vend të fundit, por jam pjesë e Lushnjës dhe mendoj vetëm për fitore ditën e shtunë dhe në tërësi për objektivin që kemi. Kam ardhur te Lushnja me besimin se do të ngjitemi në Superiore”.

Futbollisti 30-vjeçar u kthye te verdhejeshilët në limitet e merkatos së janarit dhe ndeshjen me Orikun e nisi nga stoli. “Është një ambient që e njoh shumë mirë. Me shumicën e lojtarëve që ka Lushnja kam luajtur në Superiore. Mendoj se Lushnja është skuadra më e mirë e grupit dhe në pjesën e mbetur të fazës së dytë të bëjmë kapërcimin për ta mbyllur në vend të parë.

Patjetër që jemi të përqendruar te ndeshja me Elbasanin, pavarësisht diferencave që kemi në renditje. Lushnja do të japë maksimumin e mundësive të saj për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë 3 pikët”, ka thënë më tej Gava.

Lushnjarët kanë shënuar vetëm dy gola në tri ndeshjet e fundit dhe nesër sulmuesit e saj kanë një rast të mirë për t’u zhbllokuar. Canka nuk shënon që nga derbi me Apoloninë, ndërsa Mezini u ndal në Orikum, pasi kishte shënuar 4 ndeshje radhazi.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"