“Gati të mposhtim Vllazninë”, Shkëmbi: Nuk e shoh të pamundur për t’u shpallur kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2019 | 10:56

“Gati të mposhtim Vllazninë”, Shkëmbi: Nuk e shoh të pamundur për t’u shpallur kampion

Bledi Shkëmbi, trajneri i Teutës, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e vështirë ndaj Vllaznisë. Tekniku ka besim se nga kjo ndeshje skuadra nuk do të dalë pa tri pikë dhe konfirmoi se Beqja dhe Kallaku nuk do të jenë gati. Shkëmbi foli edhe për kundërshtarët e këtij sezoni për në Europë.bledi shkembi

Sa i ka shërbyer skuadrës ky pushim pas vetëm 3 javësh kampionati?

Në fakt, na shërbeu për disa lojtarë që kishin probleme fizike, por personalisht do të doja të kishim vazhdimësi në ndeshjet e kampionatit, pasi mendoj se ishim në një ritëm të mirë. Megjithatë do të mundohem dhe është mirë të marrim anën pozitive ku na janë kthyer disa lojtarë që kanë pasur probleme.

I trembeni Vllaznisë në këtë sfidë?

Vllaznia është një ekip që kemi zhvilluar një miqësore. E dimë shumë mirë që është një skuadër e vështirë. Në këto tri javë të para të kampionatit, Vllaznia ka treguar se luan mirë futboll, por dhe një ekip që vrapon dhe një skuadër kompakte dhe normalisht do ta kemi të vështirë. Pavarësisht kësaj, ne kemi punuar gjatë gjithë javës me mendimin për ta mundur Vllazninë të bëjmë një ndeshje të mirë, por shpresoj që të na ndihmojë edhe pak fati.

Çfarë prisni ndryshe nga Teuta me rikthimin në fushë?

Nga Teuta pres që të përmirësohet akoma më shumë. Të përmirësohet, duke luajtur një futboll akoma më të mirë se tri ndeshjet e para. Si gjithmonë kjo shoqërohet me një fitore.

 Cili e ka presionin më të madh në këtë ndeshje dhe pse?

Unë mendoj se presioni më i madh është te të dyja ekipet, sepse në futboll gjithmonë të dyja skuadrat duan ta fitojnë ndeshjen. Ne kemi gjithmonë atë presionin që unë e quaj normal në një lojë futbolli. Nëse kërkon të marrësh rezultate, patjetër që ke presion. Për mua të pasurit presion pozitiv është e mirë, diçka pozitive, sepse ke një objektiv dhe duhet ta arrish.

Kur mendoni se mund ta shohim Teutën e vërtetë?

Ndoshta juve nuk ju ka pëlqyer kjo Teutë e tri ndeshjeve të para. Teuta e vërtetë është që nga ndeshja me Bylisin, e duke vazhduar me Tiranën dhe Luftëtarin. Teuta e vërtetë do të jetë javë pas jave pavarësisht asaj që japim në fushë dhe nuk mund të jesh në çdo ndeshje në një nivel. Ka ndeshje që luan shumë mirë, ka ndeshje që luan pak më mirë. Ka takime që luan dobët ose shumë dobët. Unë shpresoj të gjejmë një ritëm, të jemi një ekip që bëjmë një futboll të mirë dhe të kemi rezultat në çdo ndeshje.Shkembi

Prej vitit 2014, Teuta nuk njeh humbje ndaj Vllaznisë në “Niko Dovana”. Mendoni të vazhdoni me këtë ecuri?

Në fakt, nuk e dija, por shpresojmë të vazhdojë këtë ritual, duke fituar kundër Vllaznisë, pasi është shumë e rëndësishme dhe për pikët, por dhe për ecurinë që do të kemi gjatë kësaj faze, pasi do të na presin pas çdo jave ndeshje të vështira.

Cili është objektivi i Teutës? Titulli kampion është i arritshëm?

Patjetër titulli. Ne e kemi shprehur shumë herë. Objektivi real është që minimumi të jemi aty ku kemi qenë vjet. Dhe patjetër, duke u konsoliduar gjatë kampionatit, gjatë ndeshjeve. Ne nuk e shohim të pamundur dhe luftën për titull.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"