“Gati për të pritur evenimentin madhor të peshëngritjes”, Elez Gjoza: Viti i shtangës, buxhet i ulët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2023 | 22:00

“Gati për të pritur evenimentin madhor të peshëngritjes”, Elez Gjoza: Viti i shtangës, buxhet i ulët

Pas Kampionatit Eu ropian për të rritur, atij për të rinj apo Kongresit Zgjedhor të Federatës Botërore, të organizuara në vitin 2022, Shqipëria do të presë një tjetër eveniment madhor të peshëngritjes.

GJOZA

Bëhet fjalë për Kampionatin Botëror për të rinj (U-15 dhe U-17), aktivitet që për herë të parë vjen në vendin tonë, me garat, të cilat do të mbahen nga 25 marsi deri më 1 prill në Durrës. Presidenti i FSHPsë, Elez Gjoza, në prag të këtij eventi flet për pritshmëritë e Shqipërisë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gjoza jep detaje mbi aktivitetin, ndërsa tregon objektivat, teksa analizon brezin e ri të shtangës. Kreu i federatës thekson se brenda 2-3 viteve, peshëngritja do të vijë me një Kombëtare tërësisht të rinovuar. Gjoza komenton gjithashtu edhe çështjen e buxhetit për sportin, të cilin e quan “mizerabël” dhe “të pamjaftueshëm” për të përmbushur nevojat që kanë federatat.

Gjoza, një tjetër event i rëndësishëm i peshëngritjes vjen në Shqipëri, këtë herë në Durrës, siç është Botërori i të rinjve. Na tregoni diçka më tepër për këtë aktivitet?

Dua ta nis nga ceremonia e hapjes, e cila do të mbahet në pallatin e sportit “Feti Borova” në Tiranë. Do të jetë një spektakël i vërtetë, ku do të promovohen vlerat e Shqipërisë në sport e turizëm, pasi sporti lidhet edhe me turizmin si dhe me miqësinë. Do të jetë një ceremoni madhështore, ku do të jenë të ftuar kryetari i bashkisë, kryeministri dhe ministrja e linjës.

Kemi një kryetar bashkie të jashtëzakonshëm si Erion Veliaj, i cili është mik personal i federatës së peshëngritjes. Është i vetmi njeri që kontribuon dhe shembullin e tij duhet që ta ndjekin shumë kryetarë të tjerë të bashkive. Ky aktivitet bëhet edhe nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, nga i cili kemi marrë edhe përgëzimet për marrjen e organizimit të Botërorit.

Pas Europianit në Tiranë, këtë herë është zgjedhur Durrësi si qytet pritës. Si erdhi kjo zgjedhje?

Meqë bëhet fjalë për një Kampionat Botëror, hotelet në Tiranë nuk kanë kapacitetet për të akomoduar dhe akredituar një numër kaq të lartë sportistësh dhe stafesh. Për këtë arsye u zgjodh Durrësi. Kjo pasi një nga kushtet për zhvillimin e Botërorëve për të rinj, duhet që të gjithë sportistët dhe zyrtarët të jenë në një hotel. Në Durrës kemi hotelin që mund të na e përballojë të gjithë kapacitetin, pasi do të vijnë mbi 1 mijë sportistë dhe zyrtarë në Shqipëri.

Ne patëm një delegacion nga Federata Botërore, i cili është shprehur me superlativa për kushtet që u kemi ofruar, nga akomodimi deri te trajtimi ushqimor. Organizimi do të jetë perfekt dhe jam i bindur që do të marrim vlerësimet maksimale, pasi ne tashmë vijmë me përvojën e organizimit të shumë aktiviteteve të rëndësishme. Tirana është kryeqyteti i Europës për sportin në 2023-shin, ndërsa ne bëmë një koordinim mes Durrësit dhe Tiranës, teksa ceremoninë e hapjes do ta zhvillojmë në Tiranë, ndërsa garat në Durrës. Me këtë rast dua të falënderoj edhe të gjithë stafin e federatës, ku në krye përmend punën e jashtëzakonshme të sekretares së përgjithshme, Renada Kamberaj.

Me sa sportistë do të përfaqësohet Shqipëria në Botërorin e të rinjve?

Ne do të përfaqësohemi me 5 sportistë, si asnjëherë tjetër në një kompeticion kaq madhor. Për herë të parë përfaqësohemi me grupmosha 14, 15, 16 dhe 17-vjeçarë. FSHP që prej datës 1 shkurt ka grumbulluar Kombëtaren e të rinjve për 3 muaj deri në ditën e zhvillimit të garave.

E shikoni të aftë brezin e ri për të zëvendësuar kampionët aktualë të shtangës kuqezi?

Zëvendësimi i brezave ka qenë edhe një prej synimeve kryesore të federatës. Kërkojmë ndërlidhjen dhe zëvendësimin e brezave të sportistëve shumë të mëdhenj siç janë Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Krenar Shoraj etj. Zëvendësimi i brezave është një plagë për të gjitha federatat nëpër botë, por ne u kemi kushtuar një rëndësi të veçantë ekipeve zinxhirë. Siç e thashë, ne u jemi përkushtuar shumë të rinjve dhe për 2-3 vite ne do të kemi një ekip kombëtar totalisht të rinovuar, me këto talente të reja, që do të jenë të gjithë në zonën e medaljeve.

Rreth një javë më parë zhvilluat edhe kampionatin e të rinjve, si i patë sportistët tanë në atë garë?

Organizuam një garë kontrolli për Kombëtaren, por gjithashtu edhe për të gjithë të rinjtë e tjerë në Shqipëri. Me ligjin e bërë për sportin, palestrat tona tashmë po gumëzhijnë. Shumë të rinj po afrohen çdo ditë pranë shtangës. Duke u ndalur te gara, spikati Enkileda Carja, një sportiste 15-vjeçare, e cila me rezultatin e saj 82 kg në stilin e shkëputjes dhe 96 në shtytje, do të jetë mes tri më të mirave të botës. Një talente e madhe e stërvitur nga trajnerja Eglantina Kalemi. Do të jetë një sukses shumë i madh, për vetë vajzën, për trajneren, federatën dhe për të gjithë sportin shqiptar.

Një prej talenteve më premtues është edhe Ertjan Kofsha…

Sigurisht, ne kemi sportistë me të ardhme të madhe siç janë Ertjan Kofsha, një kampion Europe, i cili shumë shpejt do ta thotë fjalën e tij edhe në Botërorin për grupmoshën e tij dhe do të jetë një kampion bote. Këto nuk janë fjalë që i themi kot, po u referohemi rezultateve të garave të kontrollit. Kofsha ka realizuar 151 kg në shkëputje, kujtojmë se Qerimaj doli kampion i Europës me 150 kg. Ndërsa në shtyje ka shënuar 180 kg në garën e kontrollit.

Një punë e jashtëzakonshme nga sportisti dhe trajneri i tij Leonard Toska. Kemi gjithashtu edhe Saomel Rrasën, një tjetër talent i jashtëzakonshëm i Shtërmenit, vetëm 15 vjeç, por që është në zonë medaljesh në Botërorin e të rinjve. Kemi gjithashtu Antonino Mullisin e Shkodrës, që është një tregues i shpërndarjes gjeografike të peshëngritjes, një tjetër sportist 15-vjeçar pretendent për t’u futur në pesëshen më të mirë të botës.

Cili është objektivi që ka FSHP-ja në Botërorin e të rinjve?

Objektivi dhe strategjia e federatës është që të bëjmë një përfaqësim dinjitoz, jo vetëm në organizim, por mbi të gjitha, edhe në rezultate. Këtë gjë ne do ta kthejmë në realitet në këtë aktivitet.

Shqipëria kandidon edhe për të pritur Botërorin e të rriturve…

Po, jemi kandidatura më e fortë për të pritur në vitin 2024 edhe Kampionatin Botëror për të rritur, që do të ishte një supersukses për federatën, për sportin shqiptar dhe për qeverinë. Por dua të theksoj një tjetër event shumë të rëndësishëm që do të mbahet gjatë këtij viti në vendin tonë, siç është mbledhja e Bordit Ekzekutiv Botëror. Federata Botërore ka zgjedhur Shqipërinë si vendin ku do të mbahet mbledhja, në të cilën do të merren vendime të mëdha për peshëngritjen.

KOMBETARET

Tirana është kthyer në kryeqytetin botëror të peshëngritjes, siç e ka quajtur edhe vetë presidenti i Federatës Botërore, Mohamed Zhalud. Një vlerësim i jashtëzakonshëm, të cilin ne duhet ta justifikojmë, jo vetëm në organizim, por qëllimi ynë është që ta justifikojmë, mbi të gjitha, me rezultate.

Një temë që ka prodhuar debate të forta në komunitetin e sportit së fundmi është ajo e ndarjes së fondit grant. Cili është komenti juaj si president i FSHP-së?

Nga 44 medalje që ka marrë Shqipëria për vitin 2022, plot 24 medalje i përkasin vetëm peshëngritjes. Duke u ndalur te buxheti, asnjëherë buxheti i akorduar nuk arrin t’i përmbushë interesant e federatave dhe nuk është ai i duhuri. Për këtë unë i bëj thirrje edhe kryeministrit, që është shumë i angazhuar për sportin dhe që ka bërë ligjin më të mirë në botë për peshëngritjen dhe sportet në përgjithësi. Grantet për federatë janë në nivele mizerabël dhe nuk i përmbushin nevojat. Vetëm federatat e dinë se çfarë heqin për të rritur cilësinë sportive.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"