“Gati 3 goditje”, Resuli flet për merkaton e Flamurtarit: Presim lojtarë të një niveli të lartë, në janar i bashkohen skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2023 | 12:10

“Gati 3 goditje”, Resuli flet për merkaton e Flamurtarit: Presim lojtarë të një niveli të lartë, në janar i bashkohen skuadrës

Dritan Resuli parala jmëron nisjen e punës për merkaton e janarit. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat thekson se po bisedohet me tre lojtarë, ndërsa tregohet i kujdesshëm për të mos zbuluar më shumë.

RESULI

“Do të kemi ndërhyrje në merkato. Jemi duke biseduar me dy-tre lojtarë dhe ju siguroj se ata janë të një niveli shumë të lartë. Kam bindjen se do të arrijmë që të bëjmë më të mirën dhe ata do të jenë pjesë e jona në janar. Na duhen përforcime dhe do të shikojmë në çfarë përfundime kemi për të arritur. Klubi dhe ne si staf teknik jemi shumë të angazhuar për të bërë më të mirën edhe në merkato. Pra, për të bërë përforcimet e duhura”, ka thënë fillimisht Resuli.

PUSHIMI DHE MERKATO

Nisja e pushimeve të kampionatit do t’i bëjë mirë Dritan Resulit për të injektuar në skuadër idetë e tij dhe për të punuar i qetë.

“Mua personalisht me duhet që të kem kohë në dispozicion, pasi sikundër e dini e kam marrë vetëm pak javë më parë detyrën. Të jem i sinqertë më duhej kjo kohë pushimi dhe ka ardhur në momentin e duhur Tani na duhet që të mendojmë se ku duhet të ndërhyjmë. Duhet që të pushojmë dhe të bëhemi gati për sezonin tjetër”, shprehet trajneri.

SITUATA DHE OBJEKTIVI

Dritan Resuli është i kënaqur me javën e para të rikthimit të tij në krye të Flamurtarit. Trajneri vlonjat thekson se skuadra ka bërë mirë dhe se do të luftojnë deri në fund për të kapur objektivin, ngjitjen në Superligë.

“Jam shumë i kënaqur me atë që kemi arritur në kaq pak kohë që kemi qenë së bashku. Ekipi prodhoi shumë raste dhe ka qenë shumë pranë portës së kundërshtarëve. Por çdo gjë e mirë patjetër që do kohën e duhur. Kemi qenë të fokusuar për të bërë mirë dhe jam shumë i kënaqur nga gjithçka që ka dhënë skuadra. Kemi patur mbështetjen e klubit dhe organizimin në mënyrë shumë të mirë.

Sikundër e kam thënë jemi vetëm në hapat e parë bashkë, por bëmë më të mirën deri në ndeshjen e fundit të këtij viti. Impenjmi i të gjithëve ka qenë në nivel të lartë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira deri në fund, por tani na duhet që të punojmë sa më mirë dhe fortë për të arritur më të mirën. Duhet që të arrijmë objektivin e klubit. Të gjithë bashkë jemi këtu për ta çuar Flamurtarin sa më shpejtë në Superligë”, përfundoi kreu i pankinës vlonjate.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"