Gafë apo “thumbim”? Kapiteni i Anglisë bëhet protagonist me deklaratën e fundit: Italia favorite për Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2022 | 16:53

Gafë apo “thumbim”? Kapiteni i Anglisë bëhet protagonist me deklaratën e fundit: Italia favorite për Botërorin

Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, ka harruar se Italia nuk do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti në Katar, por e ka quajtur kombëtaren që i mundi në finalen e Europianit vitin e shkuar si favorite për të triumfuar në Katar. Skuadra e Mançinit do të mungojë në Kupën e Botës pas humbjes me Maqedoninë e Veriut në “play off”.

KEJN 4

Megjithatë, i pyetur përpara sfidës me Italinë të shtunën në Ligën e Kombeve, kapiteni i Anglisë tha për “ESPN”: “Në Botëror ka shumë ekipe të forta. Kemi disa favorite nga Europa. Jemi ne, Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe pastaj janë Brazili, Argjentina. Ka ekipe të forta në të gjithë botën. Për të fituar Kupën e Botës duhet të luash në një nivel shumë të lartë në të 7-ta ndeshjet”.

Sulmuesi 28- vjeçar, i cili ndaj Gjermanisë të martën shënoi golin e 50-të me fanellën e kombëtares (71 ndeshje), pritet të lihet pushim nga trajneri Garet Sauthgejt nesër kundër italianëve, i cili po mendon për t’i dhënë një shans sulmuesit të Romës, Tami Abraham. Kejn pritet të rikthehet titullar të martën kundër Hungarisë. Garet Sauthgejt tha se do të bëjë disa ndryshime në skuadrën e nesërme. Me Italinë do të luhet në stadiumin e Uolvesit “Molineux”, por pa tifozë pas trazirave në finalen e Europianit në “Wembley” verën e shkuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"