“Fuqizohet” Kastrioti, një sulmues dhe mesfushor transferohen te krutanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 10:37

“Fuqizohet” Kastrioti, një sulmues dhe mesfushor transferohen te krutanët

Kastrioti nis “pazarin”. Edhe pse këto ditë ka pasur shumë hyrjedalje në ekip, ekipit i janë bashkuar zyrtarisht dy lojtarë. Është drejtori Gazmend Vogli që konfirmon për gazetën, se kanë arritur marrëveshjen me Dejvid Kapllani dhe Albi Metani, i pari vjen nga Fushë-Kosova, ndërsa i dyti nga Flamurtari.

41

Të dy kanë nënshkruar kontratën dhe do të jenë nën urdhrat e stafit teknik, deri në fund të këtij sezonit. Durrsaku luan në repartin e sulmit, ndërsa vlonjati luan si mesfushor. Ata vijnë për të përforcuar kështu ofensivën, duke zëvendësuar vendet e lëna nga bosh nga Xhonatan Fausto Silvera da Silva dhe Gersi Diamanti. Me këto dy përforcime, plotësohet edhe kërkesa e trajnerit. Ramadan Ndreu kishte javë që i mëshonte kësaj pjese dhe sytë i kishte nga merkatoja. Pjesë e organikës është bërë edhe Alban Çejku, ish-mesfushori i Teutës. Edhe pse ka ditë më parë ai u shfaq te Vora dhe madje luajti një miqësore, tashmë ka kaluar te krutanët. Është vetë klubi që saktëson se ai e ka marrë OK-in dhe shumë shpejt do të nënshkruar edhe marrëveshjen.

NDREU – Krahas seancave, krutanët kanë zhvilluar edhe dy miqësore gjatë kësaj minifaze. Ndaj Burrelit fituan 2-0, ndërsa me Valbonën barazuan 2-2. Këto dy ndeshje kontrolli i kanë shërbyer trajnerit për të parë gjendjen e lojtarëve ekzistues, por edhe atyre që ishin në provë.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Ramadan Ndreu thotë: “Pjesa dërrmuese e lojtarëve janë të rinj, por konstatoj se janë përmirësuar shumë. Sulmuesit nuk e kanë fituar ende formën e duhur, pasi disa vijnë nga dëmtimet. Ky repart ka qenë sikleti i madh për ne. Jemi munduar që t’i zëvendësojmë me merkaton e bërë, pasi ky repart është delikat. Mund të luash gjithë kohën, por goli është ai që zgjidh ndeshjen. Janë afruar dy-tre elementë që po i shohim me kujdes, por na duhen lojtarë që të jenë mbi nivelin e këtyre ekzistues. Pasi pjesa e dytë e sezonit do të jetë më e luftuar dhe më e vështirë”.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"