Ftohje totale mes Halilit dhe Ze Marias, “divorcin” e frenojnë milionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 20:38

Ftohje totale mes Halilit dhe Ze Marias, “divorcin” e frenojnë milionat

Hoze Marselo Ferreira mungon në stërvitjen e Tiranës. Braziliani nuk ka qenë i pranishëm në seancën e parë përgatitore pas disfatës me Kukësin. Sigurisht, nuk do të mungojë për fare. Zyrtarisht, trajneri ka kërkuar leje dhe do të qëndrojë një ditë më shumë pushim, pasi ndodhet në Itali për punë personale. Ze Maria do të jetë sot në Tiranë dhe do të nisë përgatitjet me grupin.

Ze Maria-Halili

Gjithsesi, ekipi para stërvitjes së dytë të kësaj jave duhet të zhvillojë edhe analizën e ndeshjes me Kukësin. Duke lënë pas aludimet e mundshme se çfarë do të ndodhë në atë mbledhje, fakt është se situata e trajnerit është shqetësimi kryesor te Tirana. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub se Ze Maria merr një pagë prej 7000 eurosh në muaj. Në sezon rroga e tij shkon 70 mijë euro, ndërkohë që ka firmosur kontratë 2- vjeçare.

Në rast se marrëveshja prishet në mënyrë të njëanshme nga Tirana, atëherë klubi është i detyruar t’i paguajë Ze Marias 140 mijë euro, gjithnjë nëse mes palëve nuk ka një marrëveshje. Në fakt, klubi po mundohet me të gjitha mënyrat të gjejë një argument për ta “mbajtur” në punë trajnerin, por situata e Ze Marias mbahet nga një fije peri. Humbja kundër Luftëtarit nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse shkarkimin e Ze Marias dhe kjo  do të ndodhë nëse Tirana zhgënjen edhe javën e katërt.

Ekipi do të ishte pikiatë dhe do të duhej një dorë tjetër te Tirana për të ndryshuar situatën, për më tepër që dy ndeshjet pas gjirokastritëve janë me Skënderbeun e Partizanin. Aq delikate është situata e Ze Marias, sa vetëm një mrekulli mund ta mbajë në punë. Sigurisht, po të fitoheshin disa ndeshje rresht dhe të mundej Partizani, braziliani do të kthehej në një hero, por me atë që ka treguar, zor se situata mund të ndryshojë si nata me ditën. Për të mos treguar tendencë, Halili do ta kishte shkarkuar trajnerin, por të shkretat para, janë fija që nuk pritet mes Tiranës dhe Ze Marias.

ÇËSHTJA “SENTAMU”

Junus Sentamu nuk ishte dje në stërvitje. Futbollisti ka udhëtuar drejt Ugandës, pasi është grumbulluar me ekipin përfaqësues të këtij vendi. Para nisjes, klubi ka paralajmëruar futbollistin që këtë herë të jetë sa më i shpejtë në kthim. Më saktë, Sentamu duhet të kthehet brenda kohës së përcaktuar. Nëse sulmuesi vonohet apo qëndron në Ugandë një muaj, siç bën gjithmonë, atëherë rrezikon edhe një dënim ekzemplar. Klubi e ka paralajmëruar “beniaminin” e Ze Marias që të bëjë kujdes, pasi disa herë sezonin e shkuar, sulmuesi ka qëndruar me javë të tëra në shtëpi. Historia e fundit, ajo para fazës përgatitore të verës

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"