FOTO / Punimet në kohë rekord, stadiumi rikthen besimin te Korabi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2017 | 15:23

FOTO / Punimet në kohë rekord, stadiumi rikthen besimin te Korabi

Me rikthimin në shtëpi, te Korabi është rikthyer edhe entuziazmi për të siguruar mbijetesën mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Tifozët dhe opinioni sportiv dibran janë besimplotë se me mbështetjen e “lojtarit të 12-të” në gjysmën e dytë të kampionatit, skuadra do t’ia dalë të qëndrojë në elitë.

Korabi stadiumi 2

Prej ditës së mërkurë kanë nisur me ritme të larta punimet për rikonstruksionin e stadiumit të Peshkopisë sipas kërkesave të Federatës Shqiptare të futbollit. Drejtori i klubit, Fehmi Mziu, premton se impianti do të jetë gati më 18 janar, tri ditë para ndeshjes së fazës së tretë përballë Laçit.

Fehmi Mziu stadiumi Korabi

“Punimet do të kryhen në kohë rekord dhe më 18 janar do të jetë gjithçka gati. Unë falënderoj Bashkinë e Dibrës dhe personat që morën përsipër ta realizojnë misionin në kohë rekord. Janë ndërhyrje kolosale si në dhomat e zhveshjes, si në tribunën qendrore ashtu edhe për rrethimin e dytë. Po ashtu do të riparohen edhe bankinat, si dhe do të ndërhyhet te portat, të cilat do të jenë sipas kërkesave të UEFA-s”, shpjegoi Mziu në një prononcim për “TV Dibrën”.

Korabi stadiumi 3

Ai pranon se kjo ndërhyrje mund të ishte bërë që në fillim të kampionatit, në mënyrë që skuadra të mos endej stadiumeve të vendit.

Korabi stadiumi 4

“Jemi të vetëdijshëm, pasi kaluam dy faza duke u endur nëpër stadiume të gjithë Shqipërisë, – theksoi Mziu. – Ne kemi një stadium të cilin me pak ndërhyrje mund ta bëjmë për t’i luajtur aty ndeshjet e fazës së tretë dhe të katërt. Stadiumi ka shumë faktorë për të përballuar kampionatin dhe për të qenë në Superiore. Kemi një lojtar të 12-të, tifozët, që janë një mekanizëm i rëndësishëm për ekipin. Tifozëria është kryesorja dhe do të bëjmë të pamundurën që të mbijetojmë pranë tyre. Them që me ardhjen e ekipit në stadiumin tonë, gjithçka do të përmirësohet”.

Korabi stadiumi 5

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"