FOTO/ Kur Besa sfidonte nga Durrësi kapitenin e Lacios, ja si Luliç udhëhoqi zviceranët ndaj kavajasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2020 | 21:12

FOTO/ Kur Besa sfidonte nga Durrësi kapitenin e Lacios, ja si Luliç udhëhoqi zviceranët ndaj kavajasve

Besa e Kavajës ka që prej sezonit 2013-2014 që i mungon Kategorisë Superiore. Një klub me traditë dhe me trofe (2 Kupa të Shqipërisë dhe 1 Superkupë) në futbollin shqiptar, por që prej gjashtë vitesh po kalon një moment të errët, të ndikuar natyrisht nga kriza financiare, ndërsa në dy sezonet e fundit edhe nga degradimi që ka pësuar stadiumi i Kavajës. Në historinë e saj që nga themelimi i klubit, Besa ka marrë pjesë katër herë në Kupat e Europës. Në vitin 1972 ka kaluar një tur në Kupën e Kupave (eliminoi danezët e Fremad Amager), më pas në 2007-ën një tur në Kupën UEFA (ndaj serbëve të Bezhanija) dhe vetëm një vit më pas (2008) janë kualifikuar ndaj qipriotëve të Ethnikos Aknas për Kupën Intertoto (ky kompeticion nuk ekziston më). Sezoni 2007-2008 ka qenë i suksesshëm për kavajasit, pasi e mbyllën kampionatin në vendin e tretë, ndërsa pasi kaluan një tur në Kupën Intertoto, më pas në raundin e dytë luajtën ndaj klubit të madh zviceran, Grasshopers.

2

FOTO: F.Hazisllari

Duke qenë se stadiumi “Besa” nuk i plotësonte kushtet, kavajasit luajtën kundër zviceranëve ndeshjen e parë më 12 korrik 2008 në “Niko Dovana” të Durrësit. Pas një pjese të parë pa gola, në 45 minutat e dyta Grasshopersi bëri diferencën duke triumfuar 0-3. Në Europë kavajasit u drejtuan nga trajneri fierak, Iljaz Haxhiaj. Sot, 12 vite më pas, është fotografi i “Panorama Sport”, Ferdinand Hazisllari, ai që rikthen nostalgjinë e atij prezantimi për tifozët kavajasi dhe brezin e lojtarëve që ishin në fushë për verdhezinjtë.

1

Çast nga ndeshja Besa-Grasshopers 0-3 (12 korrik 2008), Senad Luliç në duel me Andi Lilën FOTO: F.Hazisllari

E veçanta e madhe është se pjesë e Grasshopersit në atë vit ka qenë edhe kapiteni aktual i Lacios, boshnjaku Senad Luliç. Mbrojtësi i krahut të majtë ka luajtur si titullar për zviceranët në të dyja takimet, madje në atë të kthimit në Zyrih, shënoi dy gola në fitoren 2-1. I vetmi gol për kavajasit u shënua nga sulmuesi Herbi Fortunat. Siç shihet edhe nga fotot, Luliç është në duel me Andi Lilën dhe Zekerija Ramadanin, teksa ky i fundit ishte kapiten i Besës.

3
Në ndeshjen e parë për kavajasit kanë luajtur në formacion këta lojtarë: Suat Zendeli në portë, Artan Sakaj, Maringlen Shoshi, Zekerija Ramadani dhe Liridon Leci në mbrojtje, Andi Lila, Enkel Alikaj, Agim Meto dhe Gerhard Progni në mesfushë, si dhe Bledar Mancaku dhe Herbi Fortunat në sulm. Gjithashtu në dy ndeshjet janë aktivizuar Emiliano Veliaj, Erand Hoxha, Vangjel Mile dhe Abdullah Ishaka.

4
JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"