FORMULA 1/ Gjigantët e 100 podiumeve dhe “mallkimi” i Hamilton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 23:33

FORMULA 1/ Gjigantët e 100 podiumeve dhe “mallkimi” i Hamilton

Maks Vershtapen pothuajse është bërë sinonim i fitoreve dhe i rezultateve historike në Formulën 1. Arritja e fundit e holandezit është podiumi numër 100, duke u bërë më i riu që mbërrin në këtë shifër si dhe gjithashtu piloti që i ka shënjestruar 100 podiumet me më shumë triumfe se të gjithë, plot 56.

v2_large_e1be51192e8135818cfe78dd2d2b37fcc96ff5d5

Bie në sy një fakt tjetër kurioz: kampioni i Red Bullit ka triumfuar gjithmonë në podiumet historike. Podiumi i parë në Formula 1 për Vershtapenin ishte menjëherë në shkallën më të lartë, me fitore në Çmimin e Madh të Spanjës 2016.

E njëjta gjë vlen edhe për podiumin numër 50, i vulosur me triumf në tokën austriake në vitin 2021, ndërsa në fund kurorëzoi me fitore në Arabi podiumin e 100-të. Pra tre nga tre, por edhe pesë nga pesë, nëse marrim në konsideratë numrat e podiumit 25 dhe 75. Në këtë speciale do të shkojmë historinë e gjashtë gjigantëve të Formulës 1, pilotë të cilët kanë arritur 100 podiume, duke shkruar historinë e këtij sporti.

KIMI RAIKONEN – Finlandezi regjistron 103 podiume në karrierën e tij në Formula 1, por në podiumet jubilare ai nuk ka mundur kurrë të shënojë fitore, pavarësisht se ka pasur gara të shkëlqyera. Rezultati i tij i parë në top-3 ndodhi në Çmimin e Madh të Australisë 2002, duke përfunduar në vendin e tretë në timonin e MekLarenit.

Podiumi i 50-të i Raikonen, përkoi me vendin e dytë në Bahrejn 2008, garë në të cilën së bashku me shokun e skuadrës Felipe Masa, i dhuruan dopietë Ferrarit. Podiumi numër 100 erdhi pas vendit të dytë në Çmimin e Madh të Italisë 2018 me Ferrarin, duke u renditur pas Luis Hamiltonit.

FERNANDO ALONSO – Spanjolli numëron 106 podiume në karrierën e tij të gjatë në F1. I pari erdhi në Malajzi 2003 në timonin e makinës Renault, garë ku Alonso u rendit në vend të tretë. Podiumi i pesëdhjetë përkon me një nga garat më të diskutuara dhe më të kontestuara në historinë e Formulës 1, siç ishte fitorja në Çmimin e Madh të Singaporit 2008.

Alonso triumfoi duke përfituar nga strategjia e skuderisë Renault, teksa skuadra franceze e bindi shokun e tij të skuadrës Nelson Pike Jr që të shkaktonte një aksident në mënyrë që të sillte makinë e sigurisë në pistë, strategji për t’ia lehtësuar punën Alonsos. Podiumi i 100-të i spanjollit u festua me vendin e tretë në fund të garës në Arabi në vitin 2023, këtë herë si pilot i Aston Martin.

ALEN PROST – Në karrierën e tij legjendare në F1 francezi ka shënuar 106 podiume. Hera e parë në top-3 për Alen Prostin ishte në Çmimin e Madh të Argjentinës në vitin 1981, ku asokohe piloti i Renault u klasifikua i treti në garë.

Prost arriti podiumin e tij të 50-të në Çmimin e Madh të Belgjikës 1987, garë të cilën e fitoi duke drejtuar njëvendëshen MekLaren, sukses që e lejoi të barazohej me Xheki Stjuart. Ndërsa triumf shënoi edhe në arritjen e podiumit numër 100, duke u ngjitur në shkallën më të lartë në Çmimin e Madh të Francës 1993, teksa Prost e fitoi eventin e shtëpisë në timonin e makinës Uilliams-Renault.

SEBASTIAN FETEL – Gjermani ka një vend në podium për sa i përket pilotëve që janë ngjitur më shumë në top-3 në historinë e Formulës 1. Fetel koleksionon plot 122 podiume, ndërsa i pari për të mbetet i paharrueshëm, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Italisë 2008.

Piloti gjerman i dha suksesin e parë edhe ekipit Toro Roso, duke zhvilluar një garë fantastike nën reshjet e shiut. Për futjen e tij të 50-të në top-3, Fetel priti Çmimin e Madh të Monakos 2013, event ku u klasifikua i dyti me Red Bullin, pas Niko Rosberg. Ndërsa podiumi i 100-të ndodhi në Çmimin e Madh të Australisë 2018, një arritje e veçante, pasi erdhi pasi një gare të shkëlqyer me Ferrarin në Melburn.

MIKAEL SHUMAKER – Legjenda e Formulës 1 ka përfunduar në tre vendet e para 155 herë gjatë karrierës së tij. Podiumi i parë për Shumin ishte në Meksikë 1992, teksa u rendit në vend të tretë me makinën Beneton. Podiumi i 50-të i gjermanit u materializua në Çmimin e Madh të Kanadasë 1997, garë ku e kaloi flamurin me kuadrate i pari me Ferrarin. Sërish në timonin e Ferrarit, Mikael Shumaker fitoi Çmimin e Madh të Brazilit 2002. Vendi i parë ishte dyfish i veçantë për pilotin gjerman, sepse shënoi podiumin e tij të 100-të dhe fitoren numër 55 në karrierë.

LUIS HAMILTON – Britaniku është mbreti i podiumeve dhe i fitoreve në garat e Formulës 1. Luis Hamilton mban rekordin me 197 ngjitje në podium, por njeh një mallkim kur bëhet fjalë për momentet historike në top-3. Në fakt, Hamilton nuk ka fituar kurrë në podiumet numër 1, 50 dhe 100. Kështu në podiumin e parë në vitin 2007 në Australi, Hamilton u klasifikua i treti pas një garë të shkëlqyer në radhët e skuadrës MekLaren.

Hera e 50-të në podium për të ishte në Malajzi 2013, por përsëri Luis nuk mund ta mbyllte me fitore, pasi u rendit i treti, këtë herë me Mercedesin. I njëjti rezultat për britanikun edhe në Çmimin e Madh të Japonisë 2016 në podiumin numër 100, të cilin nuk mundi ta festonte duke u ngjitur në shkallën më të lartë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"