FORMULA 1/ Drejtori karikon Mercedesin, Toto Volf kërcënon Red Bullin: Do të pendohen për humbjet tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2023 | 17:26

FORMULA 1/ Drejtori karikon Mercedesin, Toto Volf kërcënon Red Bullin: Do të pendohen për humbjet tona

Jo me një skuadër yjesh, por me një ekipi super-yjesh: kështu sipas Toto Volfit, i ka ndërtuar Mercedesi sukseset e tij dhe me këtë mentalitet synon të rimarrë fronin në Formula 1. Teksa bën bilancin e këtij fund-sezoni, drejtuesi i skuderisë nga Shtutgarti shfaqet tepër i karikuar për të ardhmen në një video të publikuar nga Mercedesi.

VOLF

“Garat e ndërlikuara janë ato në të cilat ne mësojmë më shumë. Siç themi gjithmonë, kundërshtarët tanë do të pendohen për humbjet tona, sepse do të vazhdojmë të rritemi”, deklaron Volf. Një rritje e bazuar pikërisht në punën kolektive: “Nuk duam të jemi një ekip yjesh, por një skuadër superstar”.

LUHATJET

– Është e qartë që Volf nuk mund të jetë i lumtur me 2023-shin, vit që kurrë nuk e pa Mercedesin e Luis Hamiltonit dhe të Xhorxh Rasëllit të triumonin në asnjë garë të vetme: “Gjatë vitit kuptuam se makina jonë nuk ishte aq e qëndrueshme sa e kishim parashikuar. Ishte e qartë se ndërveprimi ndërmjet shasisë dhe gomave nuk po funksiononte në mënyrë perfekte. Ky ishte mësimi më i rëndësishëm”, tha Volf, teksa më pas shtoi: “Kemi pasur shumë momente të vështira. Për shembull në Brazil në vitin 2022 ne dominuam, ndërsa këtë vit ndodhi e kundërta. Por më pas e mbyllëm me rezultate të rëndësishme në Abu Dabit me vendin e dytë për konstruktorë”, shprehet Volf, i cili për sa i përket performancës më të mirë, nuk ka dyshim: “Edhe pse u skualifikuam, them që ishte në Austin”.

LEHTËSIMI

– Pikërisht sprinti i fituar me Ferrarin për vendin e dytë, pas Red Bull, e bën austriakun të reflektojë: “Unë gjithmonë dua të fitoj dhe vendi i dytë apo i tretë nuk ka patur kurrë një ndryshim të madh për mua. Por këtu kemi disa avantazhe në aspektin sportiv për sa i përket dritës në fund të tunelit për sezonin e ardhshëm. Gjithashtu kemi edhe një bonus për sa i përket komponent financiar për të gjithë stafin tonë. Vendi i dytë Botëror atë natë ishte fantastik. Nuk prisja ta përjetoja këtë ndjesi, por ishte një shtysë morale për të gjithë ekipin dhe kjo është e rëndësishme”.

DREJT VITIT 2024

– Në fund Volf analizon pritshmëritë për sezonin e ardhshëm: “Ne kemi një mal të madh për të ngjitur. Kemi përballë një ekip që është kaq i suksesshëm (Red Bull) dhe ekziston një boshllëk i madh për tu mbushur. Megjithatë unë besoj se kemi marrë disa masa duke u afruar me ta. Tani mbetet për tu parë në testet dhe më pas në garën e parë në Bahrein, nëse puna ka funksionuar. Ajo që mund të them është se jam super i emocionuar dhe do të doja që të sezoni të niste qe tani”, deklaron drejtoi 51-vjeçar i Mercedesit, duke i lëshuar zyrtarisht sfidën Red Bulli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"