Fokusi te finalja e Kupës, Tetova: Do të ketë rrotacion, Kukësi e do shpëtimin nga Rrogozhina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 9:30

Fokusi te finalja e Kupës, Tetova: Do të ketë rrotacion, Kukësi e do shpëtimin nga Rrogozhina

 Për Egnatian ndeshja e sotme ndaj Kukësit është një formalitet, pasi klubi rrogozhinas ka mbaruar punë me objektivin që kishte në kampionat. Sërish do të luhet pa praninë e tifozëve, por tek Egnatia gjithçka është fokusuar në përgatitjen e finales së Kupës ndaj Tiranës, që do të luhet më 1 qershor në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Tetova

Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri Edlir Tetova, pranoi se sot do të ketë një rrotacion masiv në skuadër. Interesi i tij i vetëm është që të gjithë lojtarët t’i ketë gati në finale.

Edlir, vendin e tretë e keni siguruar, por ju mbetet edhe një ndeshje për të ezauruar në kampionat përpara finales së Kupës me Tiranën…
Është një histori më vete kjo që kemi bërë. Shumë e rëndësishme për ne ishte përmbushja e objektivit, por të mos harrojmë se gjatë kampionatit, edhe ne kemi pasur luhatjet tona. Tashmë do të luajmë ndeshjen e fundit me Kukësin, që nuk është se ndikon për diçka. Për të qenë i sinqertë, më shumë në këto momente jemi duke menduar për finalen e 1 qershorit në Kupë ndaj Tiranës.

Ndaj Kukësit do të luani me lojtarët që kanë marrë pak minuta këtë periudhë?
Po. Do të ketë madje edhe më shumë rrotacion se në ndeshjen e kaluar që luajtëm në Durrës. Kundërshtarit i duhen pikët e mbijetesës dhe shpëtimin e do nga Rrogozhina… Nuk përbën asnjë problem për ne ndeshja e fundit me Kukësin dhe as pozita e kësaj skuadre.

Më lart thatë që po mendoni për finalen. Çfarë vëreni te skuadra në vigjilje të këtij takimi më shumë se historik ndaj Tiranës?
Është një moment shumë i bukur, por skuadra është e ndërgjegjshme çfarë kërkohet dhe përqendrimi që ka aktualisht e quaj mjaft të rëndësishëm për finalen tonë të parë në Kupë.

A ka një plan klubi për pjesëmarrjen e parë në Europë?
Akoma nuk jemi të fokusuar tek Europa. Primare në këtë moment është ndeshja me Tiranën. Kjo finale na ka motivuar dhe frymëzuar, por që kërkon prej nesh një interpretim dinjitoz. Duke pasur edhe fatin me vete, shpresoj që për herë të parë Kupa do të vijë në Rrogozhinë.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"