Flamurtari-Teuta, lojtarët refuzojnë prokurorinë, mbetet ende pezull hetimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2015 | 13:02

Flamurtari-Teuta, lojtarët refuzojnë prokurorinë, mbetet ende pezull hetimi

Flamurtari-TeutaMbetet pezull hetimi për ndeshjen e dyshuar si të trukuar, Flamurtari-Teuta 2- 1, të zhvilluar në stadiumin e Vlorës më 24 janar të këtij viti.

Burime pranë organit të akuzës treguan dje për “Panorama Sport” se fillimisht lojtarët e skuadrës së Teutës dhe, më pas, ata të Flamurtarit nuk i janë përgjigjur ftesës së prokurorisë për të dëshmuar rreth kësaj çështjeje.

Ende në prokurori nuk është paraqitur asnjë lojtar aspo zyrtar i klubeve në fjalë.

Të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetën se, gjatë kësaj jave, pritet t’u bëhet ftesë tjetër të dyja klubeve, për t’u paraqitur në organin e akuzës dhe për të dhënë versionin e tyre…

Hetimi

Prokurorja e çështjes, Flora Çela, ka në dorë tashmë disa të dhëna të ardhura nga kompanitë e basteve. Konfirmohet se materiali është i bollshëm dhe nga hetimet paraprake vihen re elementë dyshues për trukim të ndeshjes. Mirëpo, prokuroria është duke hetuar dhe ende nuk jep një version zyrtar. Pritet tashmë edhe relacioni i UEFA-s për këtë çështje. Hetimet kanë avancuar, ndonëse për të dalë me një përfundim pritet edhe fjala e UEFA-s.

Reagimi

Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, thotë se, më shume se sa ndeshjen e 24 janarit, është i interesuar për t’u zgjidhur çështja e takimit Partizani-Flamurtari. “Në këto momente, mua më intereson më shumë çështja e ndeshjes me Partizanin. Për këtë, si administrator i kam denoncuar në prokurori lojtarët e mi. Sa i përket hetimit të ndeshjes me Teutën, unë e bëra punën time, e denoncova dhe e ngrita zërin. Tani le ta çojë deri në fund Komisioni i Etikës”, deklaroi dje për gazetën Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"