Flamurtari rrezikon të riformatohet, Sinan Idrizi: Asnjë nuk është i sigurt!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2022 | 14:29

Flamurtari rrezikon të riformatohet, Sinan Idrizi: Asnjë nuk është i sigurt!

Flamurtari rrezikon të riformatohet. Sinan Idrizi u shton stresin lojtarëve dhe stafit teknik. Kërkon të ndërtojë një ekip konkurrent dhe të denjë për t’u ringjitur në Superiore, ndaj jep një tjetër paralajmërim të fortë për të ardhmen. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai qartëson se Dritan Resuli nuk është i konfirmuar, por as stafi i tij.

SINAN IDRIZI

“Asnjë nuk është i sigurt. As unë nuk jam i sigurt dhe jo më trajneri, stafi teknik dhe lojtarët. Dua të them që asnjë gjë nuk është ndarë për sa i përket së ardhmes dhe vijimit të bashkëpunimit. Stafi dhe lojtarët janë të shpërndarë. Nuk kemi folur. Ndoshta nga mesi i muajit qershor do të rakordojmë se çfarë do të bëjmë.

Patjetër që fillimisht do të ulemi me stafin teknik. Nuk ka asnjë të konfirmuar deri më tani, e përsëris këtë gjë. Pasi të konfirmohet trajneri dhe stafi, do të ulemi me lojtarët.

Për momentin jemi në këtë situatë. Nuk mund të them do të jetë trajneri aktual apo një tjetër në krye të pankinës. Kemi kohë për të vendosur…”, tha fillimisht numri një i klubit kuqezi.

GRUPI – Ai lë në pritje edhe lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë. Edhe pse një pjesë do ta mbajë, qartëson se ka nga ata që nuk i përgjigjen hapit të Flamurtarit.

“Patjetër që një pjesë e lojtarëve që mbyllën sezonin në Vlorë, do të jenë pjesë e skuadrës edhe në vazhdim. Kanë bërë mirë. Kam respekt për ta, e kam thënë dhe e përsëris që elementët cilësorë që do të na ndihmojnë do të jenë te Flamurtari. Por natyrisht që do të ketë edhe nga ata që nuk do të jenë më pjesë e ekipit.

Jemi në një kampionat tjetër tani dhe kërkohet më shumë cilësi dhe kualitet. Ata lojtarë të cilët do ta meritojnë, do të jenë pjesë e Flamurtarit. Por ka edhe që nuk i përgjigjen hapit tonë”, theksoi administratori.

MERKATO – Vlonjatët janë duke menduar për një merkato cilësore. Sinan Idrizi zbulon kontaktet me lojtarë të Superiores dhe të huaj, por tregohet i rezervuar për emrat.

“Jemi në merkato. Kemi evidentuar disa lojtarë cilësorë. Tashmë e kemi mbyllur me disa futbollistë.

Shumë shpejt do të nisim edhe prezantimin. Do të afrojmë lojtarë cilësorë që janë pjesë e Superiores shqiptare, por do të kemi edhe nga tregu i huaj. Jemi në kontakte që të afrojmë lojtarë brazilianë si edhe nga tregje të tjera”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"