Flamurtari pret Laçin për goditje “big”, 6 lojtarë drejt huazimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2022 | 23:36

Flamurtari pret Laçin për goditje “big”, 6 lojtarë drejt huazimit

Drejtuesit e Flamurtarit vendosën që të ruajnë grupin e lojtarëve, pasi mendojnë se është i duhuri për të çuar skuadrën drejt objektivit madhor. Rikonfirmimet nisin që nga porta me Shpëtim Moçkën, por ashtu qëndrojnë edhe kapiteni Andi Ribaj, Ditmar Bicaj, Alked Çelhaka, Indio Oliviera, si dhe tre shkodranët Olsi Gocaj, Behar Ramadani dhe Denis Pjeshka. Pa lënë pas vlonjatët Lejdi Liçaj, Mateo Qarri dhe Gersi Diamanti.

Flamurtari

“Panorama Sport” mëson se dje trajneri Dritan Resuli ka zhvilluar një takim me drejtorin sportiv Ardi Ciruna, teksa kanë diskutuar edhe modalitetet e fundit përpara nisjes së përgatitjeve. Ata kanë bërë edhe një “sitje” të listës së lojtarëve që do të rikonfirmohen, duke vendosur edhe piketat e fundit.

HUAZIMET – Drejtuesit e klubit kanë vendosur që disa lojtarë t’i huazojnë. Bëhet fjalë për ata që nuk do të gjejnë hapësirat e nevojshme në skuadër. Destinacioni kryesor i tyre do të jetë ekipi i Orikut pas një marrëveshjeje mes dy administratorëve Idrizi dhe Jazaj, por nuk përjashtohen as ekipe të tjera.

Pas afrimit të Ariol Kaloshit, që do të jetë zëvendësuesi i Moçkës, zbehen shanset për Saugi Alimuçajn. Gjasat janë që ky i fundit pritet të huazohet. Gazeta zbulon pranë burimeve të klubit se disa lojtarë pritet që të shkojnë në të tjera ekipe. Futbollistët në listë huazimi janë David Bocaj dhe Renaldo Bocaj, Albi Metani, Geraldo Ballaj dhe Vangjel Gjipali.

MERKATO – Në Vlorë po punojnë edhe sa i takon merkatos. Por informacionet janë shumë konfidenciale dhe drejtuesit sigurohen mos të ketë rrjedhje të tyre. Pavarësisht se presin përgjigje, Kreshnik Uka nuk po bëhet i gjallë. Prishtina e ka bllokuar dhe shpresat mbeten shumë të pakta.

Nga Korabi presin Redon Razën. Të dëshiruar mbeten edhe Mentor Mazrekaj dhe Renato Malota, por “sytë” janë nga Laçi dhe aventura e saj në Europë. Thuhet se është arritur akordi me pesë lojtarë të huaj, tre brazilianë dhe dy afrikanë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"