Flamurtari përgatit kthesën, Çela: Sot tregojmë karakter, të përulur për realizimin e objektivit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2023 | 9:25

Flamurtari përgatit kthesën, Çela: Sot tregojmë karakter, të përulur për realizimin e objektivit

Emiljano Çela e pra non se Flamurtari është nën presion nga nevoja për pikë dhe shkëputja e rivalëve. Sot në Peshkopi trajneri i vlonjatëve e ka të qartë se synohet vetëm fitorja. Në prononcimin për “Panorama Sport”, trajneri fillimisht foli për situatën në skuadër pas asaj humbjeje në Burrel.

cela

“Patjetër që skuadra është nën presion. Ishte një humbje e papritur nga të gjithë dhe kjo na ka rënduar shumë. Ajo që na bën të ndihemi nën presion është nevoja për pikë dhe shkëputja e rivalëve. Nuk është se thjesht ne kontestuam te goli në Burrel. Ishte një kontestim në përgjithësi i asaj ndeshjeje. Aty çdo gjë ishte për kontestim, nga fillimi deri në fund. Gjithsesi, ne nuk e kemi përdorur si alibi gjatë kësaj jave. Jemi munduar ta vendosim veten para përgjegjshmërisë si staf në radhë të parë dhe më pas edhe lojtarët”, ka deklaruar Çela.

IDRIZI – Trajneri ka një reagim edhe për administratorin Sinan Idrizi, i cili pret kthesën. Çela e cilëson kreun e klubit si një njeri që nuk është emocional në vendime.

“Unë presidentin Sinan Idrizi e falënderoj shumë për mbështetjen. Shpresoj t’i jem mirënjohës. E them këtë, pasi që nga vendimi, të cilin mori për të ma besuar mua këtë projekt me këtë objektiv madhor dhe deri më tani, te besimi dhe mbështetja e vazhdueshme që ka treguar ndaj meje, më ka bërë të punoj i qetë dhe besimplotë.

Idrizi është një njeri që gjithmonë i shikon gjërat me objektivitet. Ai nuk është kurrë emocional në konkluzione dhe vendime. Por të mos harrojmë që investimi është i madh, por edhe presioni i një populli të tërë futbolldashës siç është Vlora, bie mbi të”, thotë trajneri.

PEZULLIMET – Elvi Berisha, Mateos Indios dhe Aleksa Mrdja janë tre lojtarët e pezulluar nga klubi, pasi kanë dalë nga pritshmëritë. Trajneri Çela nuk e komenton këtë vendim të klubit, por thotë se të gjithë duhet të jenë rezultativë në punën që bëjnë.

“Është një vendim i klubit dhe unë nuk mund të komentoj. Klubi ka ndërtuar strukturat e veta që përbëhen nga një bord drejtues profesional. Unë e përsëris që vendimet nuk janë emocionale. Nuk është analizuar vetëm ndeshja në Burrel, por në tërësi rrugëtimi ynë deri më tani. Ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të bëjmë punën për të cilën paguhemi dhe të jemi rezultativë. Ne, që nga kjo ndeshje duhet të tregojmë karakterin tonë për ta kaluar këtë situatë dhe të vazhdojmë të gjithë bashkë të përulur për realizimin e objektivave”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"