Flamurtari, padi FSHF-së për dënimet e Etikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2015 | 17:26

Flamurtari, padi FSHF-së për dënimet e Etikës

Ramella, Idrizi, Behari ne prezantimin e trajnerit te riKlubi Flamurtari do të hedhë në gjyq FSHF-në dhe Komisionin e Etikës. Ky është vendimi zyrtar që kanë marrë dje drejtuesit vlonjatë.

Tri akuza kanë ngritur vlonjatët në adresë të FSHF-së dhe Komisionit të Etikës. Shantazh, prishje të imazhit të Klubit të Futbollit Flamurtari, si dhe shpërdorim detyre, janë akuzat me të cilat FSHF do të përballet në gjyq me Flamurtarin.

Vendimi i marrë në unanimitet është bërë i ditur për “Panorama Sport”, nga vetë administratori i klubit, Sinan Idrizi. Idrizi ka urdhëruar avokatët e tij të nisin menjëherë punën për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore në drejtim të masës që Etika mori ndaj portierit Ilion Lika.

Sipas Idrizit, kjo është bërë e qëllimshme nga FSHF për të prishur imazhin e klubit, si dhe për të hedhur poshtë të gjitha investimet që janë kryer deri më tani.

“FSHF dhe Komisioni i Etikës do të përballen në gjyq me ne. Sot (dje), kam urdhëruar avokatët e mi në Tiranë që të nisin menjëherë rrugën gjyqësore, nuk mund ta mbaj unë përsipër këtë turp. Janë tri akuza që ne si klub do të ngremë ndaj FSHF-së dhe Komisionit të Etikës. Akuzat janë për shantazh, prishje të imazhit të klubit, si dhe shpërdorim detyre. Gjithçka është e qëllimshme. Po e bëjnë të gjithë se nuk duan që të ndërtohet një klub me standarde. Janë mësuar në këtë rrumpallë dhe tani që doli dikush që do rregulla të qarta loje dhe të ndershme, këto po ngrenë kokë. Asnjë zyrtar i FSHF-së nuk ka ardhur të shikojë të gjitha investimet e kryera apo të më pyesë nëse kam nevojë për ndonjë gjë. Jo vetëm që nuk e kanë bërë këtë, por po më sulmojnë keq”, tha fillimisht Idrizi.

Letër UEFA-s

Për këtë masë të Etikës, Flamurtari do të vërë në dijeni edhe institucionet më të larta ndërkombëtare të futbollit. Sipas administratorit Idrizi, pritet që t’i niset një letër UEFA-s për gafat e FSHF-së dhe Etikës. “Nuk e lë me kaq. Do ta zgjidh me gjykata këtë punë, por do të vë në dijeni edhe institucionet ndërkombëtare, UEFA-n dhe të gjitha strukturat e tjera që merren me futbollin. Do t’i nxjerr zbuluar dhe do t’i tregoj UEFA-s gafat e tyre. E kam dosjen gati dhe letrën përcjellëse për të gjitha institucionet. Kjo është qesharake dhe nuk është aspak e zakonshme të dënohet portieri edhe për një ndeshje që nuk e ka luajtur. Këta thonë se 40% të ndeshjeve të kampionatit i ka trukuar Flamurtari. Ore, janë në rregull këta apo jo?! Me këto që po bëjnë këta, tregojnë se janë të paaftë. Si mundet që një portier të trukojë i vetëm një ndeshje pa dijeninë e drejtuesve?! Këta të FSHF-së e dinë mirë si bëhen trukimet, s’kanë shanse lojtarët t’i bëjnë pa dijeninë e drejtuesit. Por këta ose nuk e kuptojnë këtë, ose janë pjesë e kësaj loje të ndyrë”, tha Idrizi.

E ardhmja

Pavarësisht këtyre veprimeve, që ai i cilëson si presione dhe shantazhe, Idrizi do të vijojë të jetë në krye të Flamurtarit. “Unë do të vazhdoj me forcë të denoncoj çdo rast që e cilësoj të padrejtë dhe prish imazhin jo vetëm të klubit tim, por të gjithë futbollin. Nuk ma mbyllin dot gojën mua. Këta duan të më bëjnë shantazhe dhe të hedhin baltë mbi mua dhe investimin tim, por nuk tallen dot, jo! Duhet të vendosin rregulla të qarta loje. Deri më tani ato kanë munguar”, përfundoi Idrizi.

Lika

Ilion Lika nuk ka dhënë asnjë koment për vendimin e Etikës që e ka dënuar me 6 muaj pezullim. Klubi e ka marrë vetë përsipër t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe për momentin nuk lejon asnjë reagim nga ana e portierit. Idrizi tha se Lika nuk do të flasë për këtë çështje, të paktën për momentin, pasi do të jetë klubi ai që do ta përfaqësojë. “Nuk ka çfarë të thotë Lika. Ky është skandal. Nuk bëhet fjalë për një portier këtu, por për të gjithë sistemin. Këtu po njolloset klubi. Këtë çështje do ta çoj vetë deri në fund”, tha Idrizi.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"