FLAMURTARI/ Nga Arabia Saudite në Vlorë, rrëfehet mesfushori. Batha: Pata disa oferta, por Idrizi ishte më bindës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2023 | 16:14

FLAMURTARI/ Nga Arabia Saudite në Vlorë, rrëfehet mesfushori. Batha: Pata disa oferta, por Idrizi ishte më bindës

Idriz Batha u rikthye në Vlorë pas 4 vitesh. Sikundër në vitin 2018 edhe tani e bindi Sinan Idrizin. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, 31-vjeçari tregon gjithçka për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Edhe pse kishte oferta nga klube të Superiores, gjirokastriti zgjodhi vlonjatët për dy arsye. E para, prej respektit që gjeti tek administratori dhe ambienti, por edhe prej financave.

idriz batha

E ka të qartë se çfarë kërkojnë te Flamurtari dhe mendon se shanset për ngjitjen në elitë, janë të mëdha. Por në të njëjtën kohë, pranon se gara do të jetë e vështirë. Nuk kishte si të mos fliste edhe për aventurat në Arabinë Saudite dhe Rumani.

Pas 4 vitesh, riktheheni në Vlorë. Si ndihet Batha?

Jam shumë i lumtur që u riktheva te Flamurtari. Të them të drejtën kam kujtime shumë të bukura në Vlorë. Ndaj është një kënaqësi shumë e madhe, që kam ardhur sërish këtu. Gjithmonë jam ndier si në shtëpinë time.

Dimë që keni pasur oferta edhe nga klube të Superiores?

E vërtetë. Kam folur me disa nga klubet e elitës, por zgjodha Flamurtarin.

Pse e zgjodhët Flamurtarit e Kategorisë së Parë?

Kam shumë miq këtu. Oferta e Flamurtarit ishte joshëse. Sigurisht e diskutuam me presidentin Sinan Idrizi, të cilin dua ta falënderoj. Ai nuk hezitoi asnjë moment për të më pasur në ekip. Pranoi kërkesat e mia.

Cila janë këto kërkesa, që ju çuan direkt drejt “po”-së?

Por tregohem i sinqertë. Më bindi respekti që gjeta nga klubi dhe Idrizi mbi të gjitha. Kjo gjë them se është primarja në një marrëdhënie dhe më çoi drejt “po”-së. Por, sigurisht që më bindi edhe ana financiare. Pa diskutim që edhe kjo ka ndikim.

Si e keni gjetur ambientin në këtë rikthim në Vlorë?

E përmenda edhe më lart, në Vlorë gjej shumë miq të mirë dhe jam i lumtur për këtë. Po flasim për një qytet që e do futbollin. Unë mezi po pres që të zbres në fushë dhe të jap maksimumin tim për Flamurtarin. Kjo skuadër meriton që të shkojë sa më shpejt aty ku e ka vendin.

Tetë pikë nga vendi i parë dhe pesë nga vendi i dytë. Mendoni se është e arritshme Superiorja për Flamurtarin?

Ka shumë ndeshje përpara. Por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sepse gara është e fortë. Flamurtari i duhet Superiores dhe shpresoj që t’ia arrijmë.

Si ishin aventurat e fundit në Arabinë Saudite dhe Rumani?

Ishte emocionuese. Kalova disa vite aty. Luajta tipe të ndryshme futbolli. U njoha me shumë njerëz. Por sigurisht që mësova në çdo lloj aspekti. Gjithsesi, më e rëndësishme se çdo gjë është familja dhe e pashë të arsyeshme që të kthehem në Shqipëri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"