Flamurtari në sulm, Çela i sheh të gjitha “finale”: Kemi lënë shumë pikë në fillim, pres triumfin ndaj Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2023 | 10:10

Flamurtari në sulm, Çela i sheh të gjitha “finale”: Kemi lënë shumë pikë në fillim, pres triumfin ndaj Besës

Emiljano Çela kërkon tri pikët në Luz përballë Besës. Për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit thekson se skuadra është në formë të mirë dhe tani çdo përballje duhet të shihet si finale.CELA FLAMURTARI

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Patjetër që skuadra është përgatitur mirë. Ekipi është në formë të mirë fizike, nuk kemi pasur asnjë dëmtim. Pavarësisht kalendarit të ngjeshur, ku kemi bërë tri ndeshje për një javë dhe kanë qenë me intensitet të lartë. Në tri ndeshjet e fundit ekipi ka marrë dy fitore dhe një barazim, duke bërë një paraqitje të mirë. Gabimet tona janë bërë në ndeshjet e para. Kemi lënë pikë shumë të rëndësishme. Na duhet patjetër të bëjmë një sforco të madhe tani dhe t’i trajtojmë të gjitha ndeshjet si finale për të rikuperuar. Besa është një kundërshtar i fortë. Përpos traditës që ka si klub, mendoj se ka një ekip me elementë të rinj, që punojnë dhe kërkojnë të shfaqen. Është e sigurt që kundër Flamurtarit të gjitha ekipet japin maksimumin, shkojnë në limite. Kjo është e sigurt. Unë ua them lojtarëve gjatë gjithë kohës, që duhet të bëjmë maksimumin për ta merituar të mbajnë këtë fanellë dhe të jemi të suksesshëm”, ka thënë fillimisht Çela.

FINALIZIMI SI PROBLEM Trajneri thotë se të gjitha skuadrat kanë probleme me finalizimin, ndërsa mbron sulmuesit kuqezi.

“Problemet në zonën e finalizimit janë të përgjithshme, janë edhe botërore dhe më gjerë. Të gjitha klubet kanë problemet e veta me shënimin e golave, sidomos këtu në Shqipëri, që është një kampionat fizik dhe i fortë. Unë mendoj se ashtu siç duhet të mbrojmë të gjithë, edhe sulmuesit, ashtu edhe duhet të sulmojnë të gjithë. Kështu që nuk duhet të merremi vetëm me ofensivën. Me Apoloninë ju e patë që ekipi luajti mirë dhe pati rrugëdalje të rrjedhshme. Skuadra hyri në zonë të rrezikshme, por në disa momente është edhe çështje fati, mendoj unë. Ishte edhe zotësia e portierit kundërshtar, që për mendimin tim bëri disa pritje heroike. Patjetër që nuk janë alibi për ne këto. Ne kemi cilësitë dhe kualitetet e duhura që fatin ta vendosim vetë. Kjo ka qenë një periudhë që edhe grupi ka pasur nevojë për t’u lidhur njëri me tjetrin, qoftë me veprime apo edhe me ndërveprime të ndryshme. Entuziazmi është kthyer dhe unë mendoj se lojtarë të veçantë do të shfaqen gjatë këtij kampionati si golashënues”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"