“Flamurtari luan si Lenini, dy hapa para dhe një mbrapa”, Idrizi mesazh skuadrës që…

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 19:17

“Flamurtari luan si Lenini, dy hapa para dhe një mbrapa”, Idrizi mesazh skuadrës që…

Sinan Idrizi është i pa kënaqur nga Flamur tari. Barazimi në ndeshjen kundër Luftëtarit nuk e ka “ngrohur” aspak Idrizin, i cili për “Panorama Sport” ka dhënë një përgjigje sa me batutë, aq edhe ironike për lojën e kuqezinjve. Në fakt ai, por jo vetëm, priste që pas fitores ndaj Kukësit, ku vlonjatët bindën me lojë, të vinte një tjetër trepikësh, këtë herë në shtëpi ndaj gjirokastritëve.

Sinan Idrizi

“Ju më pyesni sesi e pashë unë e ndeshjen? Po ju them që ishte ndeshje leniniste. E dini ju çfarë është ndeshja leniniste? Është dy hapa para, një hap mbrapa. Nuk kam çfarë të them më shumë, nuk do koment më tepër besoj ajo që prodhoi ndeshja. Për hair na qoftë”, deklaroi Idrizi për gazetën menjëherë pas përfundimit të takimit.

Grigor Tavo – Idrizi e ndoqi ndeshjen në shoqërinë e homologut të tij te Luftëtari, Grigor Tavo, si dhe legjendës së futbollit vlonjat, Kreshnik Çipi. Sapo arbitri sinjalizoi përfundimin e takimit, Tavo u largua menjëherë pas  ndeshjes, pa takuar lojtarët. Ndoshta priste fitore, por doli nga stadiumi me një shpejtësi të madhe, pa bërë ndonjë koment për mediat, qoftë edhe për situatën në klub.

Tavo

Gjithsesi, pasi u fut në makinë, presidenti i Luftëtarit, hasi një situatë të sikletshme. Ai u bllokua në trafik për 15 minuta për të dalë nga stadiumi deri në rrugën kryesore në Skelë, për shkak të punimeve që po bëhen në bulevard. Tashmë lojtarët e Luftëtarit presin që deri në fundjavë kreu i klubit t’i gëzojë me shpërndarjen e rrogave.

ERMAL SIKA





www.minuta90.com