FLAMURTARI/ Ish-mbrojtësi, tani si numri dy i pankinës, Bicaj: Jemi pesë rivalë, elita ka nevojë për Vlorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2024 | 18:42

FLAMURTARI/ Ish-mbrojtësi, tani si numri dy i pankinës, Bicaj: Jemi pesë rivalë, elita ka nevojë për Vlorën

Ditmar Bicaj “zbërthen” Flamurtarin. Lezhjani me një eksperiencë të gjatë në futbollin shqiptar, në 4 vitet e fundit luajti në Vlorë, duke varur edhe këpucët në gozhdë si pjesë e kuqezinjve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon gjithçka për fundin e karrierës dhe detyrën e re si zëvendëstrajner te Flamurtari.

BICAJ

Bicaj nuk është aspak pishman që u tërhoq nga futbolli në moshën 34-vjeçare, ndërsa beson se kuqezinjtë do të rikthehen në elitë këtë sezon. Ish-mbrojtësi zbulon se përveç Idriz Bathës, do të ketë të tjera afrime “big”.

Bicaj, e kishit paralajmëruar se do te riktheheshit te Flamurtari, por jo si futbollist. Si ndiheni tani?

I jam bashkuar Flamurtarit pas përfundimit të karrierës si futbollist. Jo vetëm unë, por po të shohësh në poste drejtuese janë edhe ish-futbollistë si Ribaj dhe Liçaj. Na është hapur dera nga presidenti Sinan Idrizi, të cilin gjej rastin ta falënderoj edhe publikisht. Personalisht ndihem si në shtëpinë time në Vlorë. U bënë 4 vite që jam pjesë e Flamurtarit, kështu që më vjen mirë që më është hapur dera tashmë në një pozicion të ri si zëvendëstrajner. Uroj që të japë më të mirën në këtë rol të ri që më është besuar.

Kush ua propozoi detyrën e re?

Normalisht që unë edhe kur kam mbyllur karrierën kam qenë ndjekës i rregullt i Flamurtarit dhe në kontakte me presidentin Idrizi, por edhe drejtuesit e tjerë, Ferko, Ribaj dhe Liçaj. Kam marrë direkt një telefonatë nga presidenti Idrizi, ku më është kërkuar të jem pjesë e Flamurtarit si zëvendëstrajner. Këtë e kam pranuar me shumë kënaqësi.

Më mirë si futbollist apo tani si pjesë e stafit teknik?

Kur je futbollist ke shumë avantazhe, sepse e gjen stërvitjen gati. Çdo gjë sillet rreth futbollistit. Por, është futbollisti që pastaj ka lodhjen fizike dhe psikologjike, sepse si stërvitjet, ashtu edhe ndeshjet, kërkojnë shumë sforco. Si futbollist do të thoja ke lodhje fizike, ndërsa si staf, ke lodhjen mendore, pasi duhet të menaxhosh 25 lojtarë. Më e lodhshme është pjesa e analizave të ekipit kundërshtar, se si të përgatitesh nga java në javë.

Ju vjen keq që i varët këpucët në gozhdë 34 vjeç, nuk mund të vazhdonit më?

Jo, nuk më vjen aspak keq. Pas 17 vitesh të luajtur futboll, me 5 kampionate të fituara, me 1 Kupë dhe 2 Superkupa, do të thoja se ndihesha i ngopur dhe e dija që ky është një cikël që një ditë do i vijë fundi. Të jem i sinqertë, nuk është se e kam përjetuar shumë keq ndarjen nga futbolli i luajtur, duke parë që edhe në 6 mujorin e fundit kisha probleme fizike dhe dëmtime. Erdhi një moment dhe thashë që më mirë të tërhiqem. Ndihesha i plotësuar nga futbolli. Nuk e kam përjetuar keq, pasi nuk kam patur një tërheqje të gjatë nga futbolli.

Keni ndonjë peng nga karriera?

Duke parë kohën që kam luajtur, sidomos vitet e mia më të mira, që kanë qenë 2010- 2015, normalisht kam pritur të kisha dhe më shumë hapësira në ekipin Kombëtar. Por, ato kanë qenë shumë të pakta. Megjithatë, edhe ato tre ndeshje që kam kontribuar, i kujtoj me nostalgji. Po të shikosh sot, dyert janë më të hapura, sidomos për lojtarët e rinj. Në atë kohë ka qenë shumë e vështirë, por çdo gjë varet në varësi të politikave të një klubi futbolli ose në rastin konkret të FSHF-së.

Flamurtari kërkon të rikthehet në Superiore, besoni se kjo do të ndodhë këtë sezon?

Gara normalisht që është e vështirë, duke parë që Bylisi ka patur një ecuri shumë të mirë, por edhe Elbasani po ashtu. Apolonia është në luftë, Korabi, Flamurtari, Vora po ashtu. Është një kampionat shumë i luftuar. Por çdo ekip ka momentet “jo” dhe Flamurtarit besoj se i ka kaluar. Tani të gjithë do të gabojnë. Gara është e hapur dhe janë 44 pikë në lojë. Ndeshjet do të jenë shumë të forta dhe do të ketë presion. Kështu që besoj që ne i kemi të gjitha mundësitë për t’u ngjitur në Superligë, sepse elitës i mungon Flamurtari i Vlorës.

Cilët janë rivalët tuaj më të fortë?

Jemi rreth pesë ekipe që jemi rivale të njëra-tjetrës. Bylis, Elbasani, Flamurtari, Vora dhe Apolonia, pa përjashtuar dhe Korabin. Këto janë ekipet që kanë rivalitet shumë të madh dhe çdo ndeshje mes tyre do të jetë një luftë. Ekipet që duan të shkojnë në Superligë duhet të fitojnë ndeshjet direkte. Ne kërkojmë që të bëjmë më mirë se kundërshtarët dhe të shkojmë atje ku e meriton ky qytet dhe ky klub me shumë histori.

Cili është plani i klubit për merkaton?

Kemi bërë rreth 7 largime deri më tani, ndërsa është afruar një lojtar si Idriz Batha. Me merkaton po merret bordi drejtues në bashkëpunim me stafin. Do të jemi shumë të kujdesshëm aty ku do të ndërhyjmë, pasi presim lojtarë që bëjnë diferencën. Kemi bërë një ndërhyrje jashtëzakonisht të mirë me Bathën, që është një vlerë e shtuar e kampionatit shqiptar. Presim që të vijnë lojtarë në nivelin e tij dhe që janë një luks për Kategorinë e Parë.

Është atmosfera e duhur në klub dhe qytet për të realizuar synimin?

Në Vlorë kam gjetur një ambient jashtëzakonisht të mirë. Kjo, falë edhe të mikpritjes së qytetarëve të Vlorës dhe sportdashësve që kanë një respekt të madh për çdo futbollist që kontribuon për Flamurtarin. Do të bëjmë gjithçka për të realizuar synimin që kemi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"