Flamurtari, “internohet” Estefano. Braziliani është stërvitur i vetëm në stadium, ndërsa ekipi në… Pyllin e Sodës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 18:01

Flamurtari, “internohet” Estefano. Braziliani është stërvitur i vetëm në stadium, ndërsa ekipi në… Pyllin e Sodës

Flamurtarit i shtohen hallet. Kur ndeshja me Luzin 2008 është në prag, vlonjatët janë në një situatë jo shumë komode. Sikur të mos mjaftonin mungesat e shumta prej kartonëve, dëmtimeve apo dënimeve, listës i shtohet Aleksandre di Estefano. Braziliani dje nuk është stërvitur me skuadrën në fushën e Pyllit të Sodës, por në stadium.

estefano flamurtari

I veçuar nga pjesa tjetër e grupit, ai ka kryer një seancë. Ky lloj “internimi” ka shtuar dyshimet. Sipas informacioneve të marra nga “Panorama Sport”, sulmuesi nuk është i dëmtuar dhe as i skualifikuar prej kartonëve. Edhe pse në klub thonë që ka plotësuar numrin 4 të të verdhëve, zyrtarisht rezulton me tre.

Dhe kjo është ajo që të bën të mendosh që diçka tjetër fshihet pas. Nuk është çudi që ndoshta të ketë pasur shkëndija mes lojtarit dhe stafit teknik, pasi ka ndodhur edhe në nisje të kampionatit një gjë e ngjashme. Me kartonë janë Behar Ramadani dhe Indio Oliveira, por ata në ndryshim nga Aleksandre di Estefano po stërviten me pjesën tjetër të ekipit.

SITUATA ME TË PEZULLUARIT

Elvi Berisha duket tashmë i larguar nga Flamurtari, ndonëse klubi nuk po e zyrtarizon “divorcin”. Sulmuesi nuk po duket më në stërvitje. Dy të pezulluarit e tjerë, Mateos Indio dhe Aleksa Mrdja, po punojnë me pjesën tjetër të grupit. Në morinë e mungesave të shumta që vlonjatët kanë, nuk përjashtohet mundësia që ata të luajnë në formacion (edhe javën e fundit morën minuta).

Antoni Beji dje ishte vetëm si spektator, pasi nuk kreu përgatitje. Nigeriani prej ditësh ka shfaqur një shqetësim shëndetësor dhe kjo e ka penguar që të stërvitet, por edhe të luajë. Grupit i mungon prej ditësh edhe Antonio Ilieski, që në fakt është larguar drejt Maqedonisë së Veriut. Ai duhet të kryejë operacionin për pubalgjinë.

KUSHTI PËR 6 PIKË

Kuqezinjtë nuk duan blof ndaj Luzit, aq sa drejtuesit kanë vendosur edhe kushte. Gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës, si mundësi për t’u afruar me kreun e renditjes. Nuk duan që të diskutojnë aspak fitoren nesër dhe sidomos në shtëpi. Më shumë se Luzi, detyrim është transferta e fundjavës. Shkojnë në Ballsh, atje ku do të masin forcat me Bylisin e vendit të parë.

Dihet që është një ndeshje e vështirë dhe luhet jashtë, por nuk ka justifikime. Burime pranë klubit konfirmojnë për “Panorama Sport” planin për 180 minutat e radhës: “6 pikë në dy ndeshje. Vetëm fitore me Luzin dhe Bylisin. Objektivi i klubit është afrimi me kreun”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"