Flamurtari bind në testin ndaj Orikut, trajneri Resuli: Lojtarët vrapuan, por kemi ende problematika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2024 | 16:31

Flamurtari bind në testin ndaj Orikut, trajneri Resuli: Lojtarët vrapuan, por kemi ende problematika

Flamurtari bind në miqësoren e parë. Kuqezinjtë udhëtuan në Orikum për të testuar veten dhe nuk u shkoi keq. Fituan me shifrat 1-4, duke bërë një paraqitje të kënaqshme në derbi e Bashkisë së Vlorës. Dritan Resulin e ka kënaqur më shumë loja se sa ka rezultati. Pas ndeshjes në Orikum, trajneri tha se skuadra interpretoi lojën në mënyrë të kënaqshme.

FLAMURTARI

Rikujton objektivin, ndërsa thekson se pret ende afrime nga merkato. “Sot (dje) zhvilluam një ndeshje miqësore dhe qëllimi është që sa më shpejtë skuadra të vijë në formë. Lojtarët kanë vrapuar.

Kemi nevojë për ndeshje dhe e nisëm me Orikun. Pas pesë ditë stërvitje, kjo miqësore ishte brenda pritshmërive. Jam i kënaqur. Nuk nisem nga niveli i kundërshtarit, por nga interpretimi i lojës. Jam shumë i kënaqur për këtë. Ekipi po shënon dhe po shprehet mirë. Kemi problematikat që do t’i rregullojmë në vazhdimësi. Ditët që kemi në dispozicion do t’i vlerësojmë në maksimum. Dihet që ne kemi objektivin madhor të ngjitemi në Superiore dhe për këtë do të punojmë sa më fort.

Merkato është e hapur. Jemi duke punuar në këtë drejtim së bashku edhe me drejtuesit e klubit për të bërë zgjedhjet e duhura. Na janë afruar tre lojtarë që kanë cilësi mjaft të mira dhe që do të na bëjnë punë. Në këto kushte jemi duke punuar për të qenë gati kur të rinisë kampionati për ndeshjen e parë me Apoloninë”, përfundon numri një i pankinës së Flamurtarit.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"