Flamurtari arrin akordin me sulmuesin Vasil Shkurtaj, administratori Idrizi: Vjen këtë fundjavë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 18:01

Flamurtari arrin akordin me sulmuesin Vasil Shkurtaj, administratori Idrizi: Vjen këtë fundjavë

Vasil Shkurtaj zbar kon këtë fundjavë në Vlorë. Lajmi i publikuar pak ditë më parë ekskluzivisht nga “Panorama Sport”, konfirmohet edhe nga vetë administratori Sinan Idrizi. Klubi ka arritur marrëveshjen paraprake me 31- vjeçarin. Sulmuesi do të luajë për herë të parë në Vlorën e origjinës së tij.

SINAN IDRIZI

Ndërsa ka eksperiencë në kampionatin shqiptar pasi ka luajtur më parë për Luftëtarin, Kukësin dhe Laçin. Qendërsulmuesi i lindur në Greqi dhe me aventura në disa ekipe në shtetin helen, në Amsterdam dhe së fundmi në Qipro, duket se ka rënë dakord me kushtet e kontratës, ndërsa vetë Sinan Idrizi e ka joshur nga ana financiare.

“Kemi arritur marrëveshjen paraprake me Vasil Shkurtajn. Sulmuesin e presim që të vijë në Vlorë në fundjavë dhe të vendoset në dispozicion të stafit teknik, duke iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës. Është një lojtar me eksperiencë dhe them se kemi bërë goditje me afrimin e tij. Në fakt, Vasili ka qenë një nga dëshirat tona të hershme, por duket se tani janë pjekur kushtet.

Është momenti që Shkurtaj të vijë në Vlorë, qytetin e tij të origjinës dhe të kontribuojë për Flamurtarin që ka nevojë për të në këtë moment për ta ndihmuar në arritjen e objektivit madhor që kemi”, shprehet fillimisht Idrizi, në deklaratën e dhënë për gazetën.

UMEJIEGO DHE NJË MBROJTËS

Vasil Shkurtaj nuk do të jetë i vetmi. Flamurtari pret edhe dy lojtarë të tjerë në këtë hapësirë merkatoje. Konfirmon edhe një herë bisedimet për Antoni Umejiegon, shtatlartin e sulmit të Apolonisë. Klubi preferon 21-vjeçarin, por duket se ende akordi nuk është arritur. Që të fitojnë shërbimet e tij, duhet fillimisht një marrëveshje me homologët nga Fieri.

“Jemi në bisedime me Antoni Umejiego. Kemi dëshirë që ta afrojmë. Jemi duke punuar”, deklaroi Idrizi për nigerianin, ndërsa zbulon se kanë në plane edhe një mbrojtës. Bëhet fjalë për një lojtar që vjen nga jashtë Shqipërisë. Mund të jetë huaj, por jo domosdoshmërish. “Kemi arritur akordin edhe me një mbrojtës të huaj. E presim që të vijë në Vlorë në orët në vazhdim”, thotë administratori, që tregohet i kujdesshëm që të mos zbulojë më shumë.

PRITSHMËRITË PËR SEZONIN

Pritshëmritë janë të mëdha për këtë sezon. Shkoi si shkoi pjesa e parë e sezonit, në fund kërkohet ngjitja. Nuk e përmend fjalën “Superiore”, por qartëson se çfarë do nga skuadra e tij. Objektivi është i qartë tashmë, por i mëshon shumë profesionalizmit dhe sjelljes së lojtarëve në fushën e lojës. “Pres atë klasiken që kam kërkuar gjithmonë.

Dua që skuadra të japë maksimumin. Pastaj ajo tjetra dihet. Skuadra mbi të gjitha duhet që të kenë një sjellje profesioniste në fushën e lojës. Ata e dinë shumë mirë objektivin dhe pritshmërinë tonë, ndaj duhet të punojnë fortë dhe të justifikojnë gjithçka”, përfundoi numri një i klubit, që ia kalon tashmë “topin” futbollistëve.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"