Fituan dy ndeshje ne transfertë, zbuloni shumën e majme që morën laçianët si shpërblim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2018 | 10:50

Fituan dy ndeshje ne transfertë, zbuloni shumën e majme që morën laçianët si shpërblim

Laçi po kalon çdo parashikim këtë sezon. U bënë 8 javë dhe me shumë fanatizëm janë duke mbrojtur statusin e “pathyeshmërisë”. Superioritetin e treguan edhe kundër Tiranës, të cilën e mposhtën në mes të kryeqytetit. Një skuadër që, edhe pse pa shumë pompozitet, është duke garuar për titullin kampion. Dhe kjo ecuri nuk ka kaluar pa u vlerësuar nga klubi. Presidenti Pashk Laska ka menduar që të shpërblejë dy fitoret e fundit jashtë fushe.

laciii

Dhe nuk bëhet fjalë për pak parà, por mbi 12 milionë lekë të vjetër që u janë shpërndarë kurbinasve. Për suksesin ndaj kamzalinjve ishin vendosur në dispozicion 8 milionë lekë të vjetër, ndërsa për atë me 24 herë kampionët e vendit 3 mijë euro. Premio që, dashur pa dashur, ka shtuar entuziazmin në radhët e lojtarëve.

STAFI – Laçi e ka nisur me seriozitet maksimal garën. Edhe pse të shumtë ishin skeptikët për këtë skuadër dhe sidomos pas largimeve që pati në merkaton e verës, falë punës së palodhur të stafit teknik, nuk kanë munguar as rezultatet. Dhe duhet thënë që stafi i kurbinasve këtë edicion është më i kompletuar se kurrë. Veç Artan Mërgjyshit, që është promotori, në krahë të tij janë edhe Memelli, Hima dhe Shtama. Dhe së bashku janë duke ndërtuar një grup, i cili po befason gjithkënd javë pas jave.

TERRENI – Është nisur dje drejt Greqisë një delegacion i klubit. Misioni mbetet blerja e barit për të rimbjellë stadiumin e Laçit. Më herët, specialistët e fushave kishin “djegur” me ilaç barin e krimbur të këtij impianti. Duke shfrytëzuar edhe ndërprerjen e kampionatit, punonjësit do të punojnë për të ripërtërirë terrenin e dëmtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"