Finalja e Ligës së Konferencës, rezervimet e hoteleve po shtrihen deri në Shkodër/ Flet kreu i Unionit Turistik: Tirana ka vetëm 6500 shtretër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2022 | 16:57

Finalja e Ligës së Konferencës, rezervimet e hoteleve po shtrihen deri në Shkodër/ Flet kreu i Unionit Turistik: Tirana ka vetëm 6500 shtretër

Sot në Tiranë asnjë hotel nuk disponon dhoma të lira për në datën 25 maj. Mbajtja e finales së Ligës e Konferencës më 25 maj në kryeqytet ka bërë që të gjitha strukturat akomoduese të ezaurohen me kapacitet të plotë. Ndërkohë, mbështetës të të dyja ekipeve kanë arritur që të shikojnë si alternativë edhe qytete të tjera për të rezervuar një dhomë për të fjetur.

maxresdefault

Në lidhje me këtë ka folur edhe kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, i cili zbulon për “TV Klan” se rezervimet e dhomave janë shtrirë përtej kryeqytetit: “Pothuajse janë rezervuar. Të vetmet që kanë ngelur janë shumë pak shtëpi private informale pasi të gjitha janë ezauruar. Duke përfshirë pastaj edhe apartamente që janë informale të paregjistruara apo hotele në periferi të Tiranës”.

NUMRAT E SHTRETËRVE – Në Tiranë dhe Durrës, strukturat akomoduese formale arrijnë shifrën e 21 mijë të tillave. Rezervimet kanë përfshirë edhe qytete përreth Tiranës, si Elbasani, Kruja apo edhe Shkodra. “Tirana ka rreth 6500 shtretër. Rrethet e tjera, Durrësi, Kavaja kanë rreth 15 mije shtretër, por ka shtretër që mund të rezervohen në Krujë deri në Shkodër, me ‘booking’ janë rezervuar”.

Sipas Unionit Turistik Shqiptar, të ardhurat nga turistët pritet të arrijnë disa milionë euro, ndërsa synimi kryesor mbetet përthithja e tifozëve edhe si turistë në muajt dhe vitet në vijim. Por ajo që bie në sy është pikërisht fakti se kapacitetet akomoduese në vendin tonë janë shumë herë më të vogla sesa janë kërkesat për një event të tillë sportiv. Vetë autoritetet shtetërore dhe ato sportive kanë folur ditët e fundit për një numër tifozësh të huaj që shkon nga 40 deri në 70 mijë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"