“’Final 4’ e favorizon Tiranën për titullin”, Deliu: Me Teutën gjithnjë e vështirë, falë ndryshimit fitojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 14:12

“’Final 4’ e favorizon Tiranën për titullin”, Deliu: Me Teutën gjithnjë e vështirë, falë ndryshimit fitojmë

Ardit Deliu ishte një nga protagonistët e fitores me përmbysje që Tiran mor në javën e fundit me Dinamon. Mesfushori e pranon se me Tutën e kanë pasur të vështirë në vitet e fundit, por nesër ikin në Durrës për fitore. Deliu në prononcimin e dhënë sot për mediat, pranoi se të larguarit kanë peshë, por shpreson që të mos ndikojnë në vazhdimësinë, Pasi ai e shikon Tiranën edhe në rrugën e titullit.

deliu

“Teuta ka hasur vështirësi në kampionat, por ne e parashikojmë si ndeshje të vështirë.  Gjithmonë me Teutën kemi vuajtur pak. Për vetë pozitat që kanë ata do të tentojnë maksimumin, por ne jemi përgatitur shumë mirë. Vijmë nga dy ndeshje pozitive, morali është i lartë dhe shkojmë për të marrë maksimumin.

Tranzicioni në ekip

Kemi hasur pak në vështirësi në ekip sa i përket trancizonit, por jemi mundur që ta punojmë këtë gjë. Edhe trajneri na e ka thënë që është diçka që duhet ta përmirësojmë që të mos na ndodhë më. Për këtë arsye kemi pësuar edhe shumë gola në këtë sezon.

Çfarë ka ndryshuar së fundmi te Tirana, që po merr rezultate?

Fryma e skuadrës është pak më ndryshe. Jemi më grup dhe të bashkuar. Pastaj ka ndikuar edhe njohja më e mirë me trajnerin. Kjo është arsyeja që po shikoni një Tiranë ndryshe dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu deri në fund.

Largimet e sulmuesve…

Shpresoj që të mos ndikojë largimi i tyre, por ata janë lojtarë me vlera. Të tre (Hasani, Hila, Kaina) kanë qenë shumë të rëndësishëm, por shpresoj që të mos ndikojë dhe ne të vazhdojmë me formën e mirë.

Shënuat një gol me peshë me Dinamon…

Ashtu siç shkoi loja, nga 2-0 për ata, më pas Hoxhallari shënoi shpejt dhe pas tij arrita edhe unë të barazoja rezultatin, Më pas ndeshja u kthye në favorin tonë.

Forma e Tiranës…

Siç e keni parë në 2-3 ndeshjet e fundit, ekipi ka ardhur mirë fizikisht duke qenë në formë maksimale. Duke qenë se është java e 20-të, të gjithë kanë marrë minuta maksimale dhe tani është koha për të ruajtur vazhdimësinë.

Tirana kampione?

Shpresoj që të ecim mirë deri në fund dhe formula “Final 4” është diçka që edhe na favorizon. Deri në fund është çdo gjë e hapur, ndaj të bëjmë maksimumin për të shkuar deri atje, pastaj do të jetë histori tjetër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"