EUROBASKET 2023/ Shqipëria sërish për turp, mundet nga Sllovenia me rezultat të thellë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2021 | 19:27

EUROBASKET 2023/ Shqipëria sërish për turp, mundet nga Sllovenia me rezultat të thellë

Shqipëria e basketbollit të femrave ka pësuar një tjetër disfatë të rëndë në kualifikueset e “EUROBASKET 2023”. Pasi ishin mposhtur me 106 pikë diferencë disa ditë më parë në transfertë kundër Polonisë, vajzat kuqezi u mundën në shtëpi me një tjetër rezultat shumë të thellë, këtë herë nga Sllovenia.

kombetarja  basketboll femra

 

Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë, u fitua nga sllovenet në shifrat 127-28. Plot 99 pikë diferencë, të cilat janë një tregues i qartë i hendekut të jashtëzakonshëm mes basketbollit tonë dhe atij elitar në rang ndërkombëtar. Sllovenet, të cilat disa ditë më parë ishin mundur në shtëpi nga Turqia, rregulluan pikavarazhin në Shqipëri, duke marrë suksesin e parë në këto kualifikuese.

NDESHJA
Ashtu sikurse pritej, kombëtarja e drejtuar nga Mirza Alibegaj e kishte tepër të vështirë të matej me një kundërshtar të fortë si Sllovenia, që pozicionohet në vendin e 25-të në renditjen botërore të FIBA-s. Koshi i parë kuqezi mban firmën e Barajt, me rezultatin që shënon në tabelë 5- 2 për Slloveninë.

Perioda e parë do të jetë edhe më e mira për Shqipërinë në këtë takim, që arrin të shënojë 14 pikë, kundrejt 30 të slloveneve. 10-minutëshi i dytë është i tmerrshëm për kombëtaren tonë, që nuk ia del të realizojë asnjë pikë, ndërsa Sllovenia shënon 32, duke shkuar në pushimin ndërmjet dy pjesëve me epërsinë e përgjithshme 62-14.

Sllovenet e rrisin avantazhin në 98-25, pas 30 minutash lojë, teksa e fitojnë periodën e tretë 36-11, ndërsa vulosi suksesin me +99 pikë, duke triumfuar 29-3 në periodën e katërt. Lojtarja e ndeshjes ishte Mojca Jelenc, autore e 24 pikëve dhe 12 kërcimeve në tabelë, duke regjistruar efiçencën +35. Ndërkohë, Mirela Lugaj (14) shënoi gjysmën pikëve të Shqipërisë në këtë takim.

Në sfidën tjetër të Grupit D, Turqia mundi Poloninë 52-41, duke marrë e vetme kryesimin. Ndeshjet kualifikuese do të rikthehen në nëntor të vitit të ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"