“Është për të vënë duart në kokë si ndërtohet Kukësi”, flet Hallaçi: Po të mos kisha ndërhyrje, nuk do ishim në këto pozita

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 17:31

“Është për të vënë duart në kokë si ndërtohet Kukësi”, flet Hallaçi: Po të mos kisha ndërhyrje, nuk do ishim në këto pozita

Nëse ka një njeri që i dhemb shumë situata e Kukësit të këtij sezoni, ai është Rraman Hallaçi. Si një ish-kapiten dhe ish-trajner, ai përpiqet të tregohet realist me atë që po kalon ky klub që ka bërë histori dekadën e fundit në futbollin shqiptar.

hallaci

Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, Hallaçi e sheh problemin në katër sezonet e fundit së bashku, por që ka kulmuar këtë vit. Si një njeri që e di si funksionojnë gjërat në kampin blu, ai thekson se bashkëpunimi në klub mungon dhe se aty duhen njerëz që kanë vizion për futbollin.

Hallaçi, si i shihni shanset e Kukësit për të mbijetuar këtë sezon?
Është normale që Kukësi po kalon sezonin më të vështirë që kur ka ardhur në Superligë. Skuadra, si asnjëherë tjetër, po vuan shumë, por gjërat kishin kohë që ishin përkeqësuar. Prej katër sezonesh gjërat nuk po shkonin siç duhet. Këtu përgjegjës janë ata që merren me organizimin e skuadrës. Një klub profesionist nuk mund të ndërrojë 25 lojtarë çdo sezon dhe këtu del në pah vizioni që ke për të ndërtuar një skuadër me mure të forta afatgjatë. Duhen njerëz që kanë lidhje me botën e futbollit, ata që dinë çfarë është loja e bukur e futbollit. Kjo ka një domethënie shumë të madhe, nëse ti kërkon të ndërtosh një klub sportiv modern.

Sa shpresë japin këto ndeshjet e fundit?
Shpresë sigurisht që Kukësi ka deri në fund, sepse këtë ia lejon matematika, por duhet një sforco shumë e madhe. Skuadra luan pa presion dhe kjo e ndihmon shumë. Lufta është e ashpër, por Kukësi mund të tentojë për të qëndruar. Të mos harrojmë se ky është minimumi për një skuadër si Kukësi.

Duke parë shanset e pakta për mbijetesë, a duhet të mendojë klubi që tani për sezonin e ardhshëm?
Mjafton të shohësh skuadrën e Bylisit dhe ajo duhet marrë shembull. Edhe kur bie nga kategoria dhe largon lojtarë, përsëri ngelet një super skuadër. Klubi duhet t’i mendojë të gjitha dhe jo sot për nesër. Kështu nuk funksionon në botën moderne të futbollit. Gjithsesi, nuk e mendoj asnjëherë që Kukësi mund të zbresë poshtë, kur kujtojmë që kjo skuadër i ka dhënë bukuri vitet e fundit futbollit shqiptar.

Çfarë nuk shkoi këtë edicion, që ekipi ndodhet në këto pozita?
Kur isha te skuadra U-21, kam ngritur zërin që ky ekip të ishte gjithmonë ushqyes për skuadrën e parë dhe këtu fillon puna. Por, është e tmerrshme, skuadrën U-21 dhe lojtarët e rinj i shikonin sikur të ishin të huaj. Bashkëpunimi në klub nuk funksionon, çdokush mundohet t’ia lërë fajin tjetrit. Klubet profesioniste kanë gjithmonë planin B, kur ngelesh pa lojtarë, atëherë i ke gati 5- 6 elementë që rriten në akademi. Këtë sezon nuk dua të flas, se i bëj dëm skuadrës. Se çfarë ndodh me mënyrën e të ndërtuarit skuadrën është për të vënë duart në kokë, më vjen shumë keq.

Nëse do të qëndronit më gjatë, mendoni se do të kishit rezultate më të mira me Kukësin?
Shikoni, mua më thanë për të qëndruar me një buxhet, që vetëm në Kategorinë e Dytë mund të jetë. Por, duke ditur që drejtuesit po kalonin një moment jo të mirë, vendosa ta ndihmoj skuadrën me një rrogë qesharake. Tifozët më kanë mbështetur gjithmonë dhe i kam pasur si ndihmë në vitet që isha te Kukësi dhe e ndjeja detyrim të qëndroja me këto vështirësi. Edhe sezonin e kaluar situata të tilla kishim, por kisha në skuadër lojtarë me zemër luani. Ata nuk pyetën më për pagesat, por luanin për trajnerin dhe tifozët. Si ata nuk ka më të dytë, ata lojtarë do të jenë të respektuar gjithmonë nga kuksianët. Sigurisht që po të më linin të qetë dhe të mos kishte ndërhyrje, nuk do ishim në këto pozita, këtë ua siguroj.

Janë në gjysmëfinale të Kupës, mund t’ia dalin deri në fund?
Për mua Kupa nuk vlen, këtë sezon vlen vetëm kampionati, sepse aty është e ardhmja. Kur je në gjysmëfinale, do të provosh shanset, sepse je shumë afër, por duhet kujdes, sepse finalja është kampionati këtë vit. I uroj suksese trajnerit, skuadrës, tifozëve dhe shpresoj t’ia dalin në të dy kompeticionet. Kukësi do të mbahet mend gjithmonë për atë që bëri në Kupat e Europës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"