Erlis Frashëri tregon pse la shiritin në Korçë për Vlorën: Flamurtari i mungon elitës, na hoqën fitoren në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 17:10

Erlis Frashëri tregon pse la shiritin në Korçë për Vlorën: Flamurtari i mungon elitës, na hoqën fitoren në Elbasan

Erlis Frashëri ishte goditja në limite e Flamurtarit në merkaton e dimrit. Ish-kapiteni i Skënderbeut vendosi të vinte në Vlorë, që sipas tij e bindi Sinan Idrizi dhe projekti i Flamurtarit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 35-vjeçari që ka një eksperiencë të madhe në futboll, premton se do të bëjë maksimumin për të realizuar objektivin madhor.

erlis frasheri flamurtari

Frashëri thotë se Superiores i mungon Flamurtari. Ai pohon se në Elbasan pa një skuadër shumë të mirë, por që iu hoq në mënyrë të padrejtë fitorja. Frashëri flet edhe për kohën e lirë në Vlorë, si dhe për shokët me të cilët shoqërohet më shumë.

Frashëri, çfarë ju bindi të firmosnit në Vlorë?

Më bindi presidenti Sinan Idrizi. Më ka folur shumë për ekipin e tij dhe shpreson që të shkojë në elitën e futbollit shqiptar sa më shpejt. Por, edhe projekti i klubit. Kështu që vendosa me shumë kënaqësi që të jem pjesë e Flamurtarit.

Ju kontaktoi vetë Idrizi për të ardhur te Flamurtari, apo…?

Po, po. Kam folur me presidentin dhe me djalin e tij.

Keni qenë kapiten i Skënderbeut. E kishit të vështirë largimin nga Korça?

Të them të drejtën ishte pak e vështirë, sepse isha kapiten i Skënderbeut. Por më bindi presidenti dhe projekti që ka klubi. Tashmë jam pjesë e Flamurtarit dhe do të japë maksimumin tim.

Objektivi është Superiorja. Mendoni se është i arritshëm?

Ne do të bëjmë maksimumin tonë për të dhënë më të mirën për Flamurtarin. Është një ekip i madh dhe i mungon Superiores. Por do të bëjmë gjithçka që të arrijmë objektivat e klubit. Kam shumë besim te grupi i lojtarëve. Grupi është shumë i rëndësishëm dhe ka lojtarë elite. Ka lojtarë të Superiores që kanë treguar aftësitë e tyre në ekipet ku kanë luajtur. Besoj se me mbështetjen e presidentit Idrizi ne do ta arrijmë objektivin.

Me Elbasani ju iku fitorja nga duart. Keni një koment për atë që ndodhi të dielën?

Unë jam futbollist dhe nuk doja që të shprehesha në këtë mënyrë. Jo na iku, por na e hoqën. Ne treguam se kemi ekip shumë të mirë. Në atë ndeshje treguam karakter shumë të fortë. Flamurtarin e kam ndjekur në Kategorinë e Parë, por asnjëherë nuk e kam parë si në këtë takim. I bëmë shumë mirë detyrat edhe pse ishim me një lojtar më pak. Fituam ndeshjen, por na mohuan golin. Kjo na bën edhe më të fortë për të vijuar më tej dhe të shfaqim potencialin tonë duke marrë rezultate pozitive.

Si e gjetët ambientin në Vlorë?

Të them të drejtën pjesën më të madhe të djemve i njihja edhe më parë. Kemi luajtur edhe bashkë, por edhe si kundërshtarë me ekipe të ndryshme. Janë djem shumë të mirë dhe punojnë fort. Shpresoj që të arrijmë objektivat që kemi.

Me kë shoqëroheni më shumë?

Unë në fakt shoqërohem me të gjithë. Jam një tip që bashkohem me të gjithë, si me djemtë e rinj ashtu edhe me ata me eksperiencë. Por, më shumë qëndroj me Idriz Bathën, Aldo Teqajn dhe me Fabio Beqjan.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"