Erdhi, pa, u pagua e iku/ Ish-futbollisti i Juventusit nuk kthehet, Apolonia mbetet pa trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2021 | 8:36

Erdhi, pa, u pagua e iku/ Ish-futbollisti i Juventusit nuk kthehet, Apolonia mbetet pa trajner

S hprehjen e Jul Cez arit: “Veni, Vidi, Vici” (“Erdha, pashë, fitova”), sot italianët e kanë konvertuar në: “Erdha, pashë, u pagova e ika”. Tingëllon disi groteske, por kështu i ka ndodhur Apolonisë në aventurën e radhës me trajnerët nga Gadishulli Apenin. Manuele Blazi, një ish-futbollist me emër, por anonim si trajner, nënshkroi një kontratë të majme me fierakët, duke marrë pas vetes si zëvendës edhe Fabricio Antoninin.

blazi

Ndryshe nga Xhovani Kolela dhe Fabricio Kamarata, edhe pse pak ditë në Shqipëri, ai shfaqte haptazi njëfarë arrogance edhe me median, nën justifikimin se nuk i lejohej nga klubi. As dy javë nuk zgjati aventura e tij në Fier: nisi fazën përgatitore më 2 gusht; zhvilloi një miqësore kundër FC Prizrenit më 11 gusht dhe një ditë më pas mori pagesën e radhës bashkë me “shpurën” e tij italiane në pankinë dhe të premten e 13 gushtit fluturuan drejt Gadishullit Apenin.

Sipas biletës së prenotuar, Blazi, Antonini dhe Deli Karri duhet të ktheheshin paraditen e kësaj të hëne, gjë që nuk ka ndodhur dhe, nga burime të sigurta brenda klubit fierak, ata i kanë dhënë fund aventurës me Apoloninë.

Apolonia 2

Kjo gjë është një konfirmim i sigurt për Blazin dhe Antoninin, ndërsa Deli Karri mund të vijë në Fier më 24 gusht, ndonëse edhe për të ekziston mundësia që të mos rikthehet më. “Panorama Sport” ka kërkuar një prononcim zyrtar nga krerët e klubit, por askush nuk është përgjigjur. Gjithsesi, bardhejeshilët vazhdojnë përgatitjet në Fier.

Drejtimi i është besuar Nikolin Çoçllit, i asistuar nga Dario Dian (i vetmi italian i stafit në Fier), si dhe nga Bledar Vashaku e Denis Duda.

Pak gjasa ka që Çoçllit t’i besohet stoli, ndaj mund të thuhet me gojën plot se Apolonia është në merkato edhe për një trajner të ri, këtë herë shqiptar. Manuele Blazi ishte i treti italian në krye të pankinës, pas Xhovani Kolelës (shtator-nëntor 202- 0) dhe Fabricio Kamaratës (janar-maj 2021), por ndryshe nga paraardhësit e tij, Blazi nuk debutoi në asnjë ndeshje zyrtare.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"