“Erdha të kontribuoj për objektivin Superiore”/ Klubi i Kategorisë së Parë godet në merkato, transferon portierin e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2022 | 23:43

“Erdha të kontribuoj për objektivin Superiore”/ Klubi i Kategorisë së Parë godet në merkato, transferon portierin e Kukësit

Tomori ka siguruar firmën e shumëpritur prej stafit teknik, atë të portierit Fatjon Çollari. Elbasanasi 23-vjeçar vjen në Berat nga skuadra e Kukësit. Duke siguruar portën dhe njëkohësisht firmën e kapitenit Çaço, ekipi i Tomorit gjatë së hënës ka marrë formën e plotë. Stafi teknik ka mbetur shumë i kënaqur dhe do ta përqendrojë të gjithë punën në dy javët e mbetura në drejtim të përgatitjes sa më efikase.

Collari Kukesi

Portieri elbasanas, pas një përvoje në radhët e ekipit të vendlindjes, si dhe për një periudhë të shkurtër në Gjermani, ishte stabilizuar si një “gardian” me perspektivë te skuadra e Kukësit. Pas insistimit të gjatë të drejtuesve të Tomorit, Çollari përfundimisht është bërë pjesë e beratasve.

Për “Panorama Sport”, portieri 23- vjeçar ka dhënë prononcimin e parë si pjesë e Tomorit, menjëherë pas nënshkrimit të kontratës në prani të kryebashkiakut Ervin Demo.

“Jam shumë i lumtur që zgjodha Tomorin dhe nënshkrimin e kontratës nuk e diskutova dy herë. Është kënaqësi shumë e madhe për mua të mbroj portën e Tomorit. Më pëlqen shumë ambienti, por edhe mënyra se si jam pritur dhe vlerësuar këtu nga stafi teknik, ndaj dhe unë do të marr përgjegjësinë e duhur. Tani radhën e ka puna që do të bëj këtu, duke pretenduar të jap maksimumin për Tomorin dhe të justifikoj të gjithë besimin që tregoi ndaj meje bordi drejtues që në momentin e mbërritjes në Berat.

Uroj që në sezonin e ri edhe me kontributin tim, Tomori të jetë një nga skuadrat pretendente për t’u ngjitur në Superiore”, u shpreh Çollari për gazetën. Gjatë pasdites së djeshme, në ambientet e stadiumit, përpara seancës stërvitore, është mbledhur bordi drejtues i kryesuar nga kryebashkiaku dhe presidenti Ervin Demo, i shoqëruar nga donatori Gramoz Toto dhe administratori i klubit Ismet Ajazi. Ata kanë miratuar të gjithë së bashku projektin dhe objektivat që do të ketë skuadra e Tomorit në kampionatin e ardhshëm, ku është shfaqur pretendimi për t’u ngjitur në Superiore.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"