Emiljano Çela paralajmëron Kastriotin: Laçi kundërshtari më i rrezikshëm! Sot, kjo ndeshje si një finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2022 | 11:04

Emiljano Çela paralajmëron Kastriotin: Laçi kundërshtari më i rrezikshëm! Sot, kjo ndeshje si një finale

Kastrioti do të kërkojë sot rikthimin te fitorja në kampionat, pikërisht në ndeshjen kundër Laçit, që do të luhet në orën 15:00 në stadiumin e Kamzës. Trajneri Emiljano Çela e konsideron si një ndeshje kyçe për vazhdimësinë, në një kohë që vlerëson në maksimum kurbinasit.

EMILJANO CELA

“Kjo javë ka shkuar shumë mirë dhe jemi përgatitur në maksimum. Entuziazmi që është në skuadër bën që edhe lojtarët të stërviten me shumë dëshirë.

Ndeshjet janë shumë të vështira dhe të stërvitesh me dinamizëm është një aspekt i rëndësishëm në punën që bëjmë me skuadrën. Përballë do të kemi një nga kundërshtarët më të rrezikshëm, por njëkohësisht të fortë.

Pavarësisht rezultateve që Laçi ka pasur, unë mendoj se ka një skuadër me cilësi, prandaj dhe duhet vlerësuar maksimalisht nga ne. Mendoj se është një ndeshje finale për ne, por besoj dhe shpresoj se me mënyrën si vijmë në këtë sfidë dhe si kemi punuar me grupin, do të jemi të suksesshëm”, ka thënë fillimisht Çela për “Panorama Sport”.

I pyetur nëse mesfushorët Edon Hasani dhe Xhuljo Mehmeti do të jenë të gatshëm për sfidën e sotme pas problemeve fizike që kanë pasur, trajneri i krutanëve sqaroi:

“Hasani dhe Mehmeti janë shumë të rëndësishëm për mënyrën tonë të lojës. Shpresoj t’i kemi të dy të gatshëm ndaj Laçit. Edhe nëse nuk ia dalin, sërish do të bëjmë më të mirën e mundshme me lojtarët që kemi”. Ndërkohë, sa i përket faktit që Kastrioti shënon pak, Çela u shpreh:

“Ekipi ka qenë në ekuilibër dhe ka bërë lojëra të mira. Jemi një skuadër që pësojmë pak dhe kjo tregon forcën tonë. Disa situata mund t’i zgjidhnim më mirë, por problemin e golit e kanë edhe klube të mëdha në botë.

Sulmuesit tanë Morbek, Greca dhe Zogaj kanë kapur formën, por aty janë edhe Ajazi dhe Santiago Selmani, të gatshëm për të bërë sa më mirë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"