Elvis Kotorri afrohet te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2015 | 13:50

Elvis Kotorri afrohet te Dinamo

kotorriElvis Kotorri i është bashkuar Dinamos për pjesën e mbetur të sezonit. Portieri është larguar nga Elbasani, ndërsa do të mbrojë fanellën blu. Deri para pak ditësh, klubi kryeqytetas qe shprehur se nuk kishin interes për portën. Por, pas shprehjes së dëshirës së Kotorrit për të qenë pjesë e Dinamos, gjërat kanë ndryshuar. Drejtuesit dinamovitë kanë vendosur ta marrin në skuadër gardianin, i cili ka eksperiencë në kampionatin shqiptar. E ndërsa klubi i ka bërë ofertën tashmë, mbetet në dorë të gardianit për të pranuar ose jo kushtet e afruara. Portieri – Elvis Kotorri, në një bisedë për “Panorama Sport”, ka treguar se pse vendosi të mbronte fanellën blu për pjesën e dytë të sezonit. “Kam biseduar me drejtuesit e Dinamos dhe sot do t’i bashkëngjitem skuadrës në seancat stërvitore.

Do të shohim nëse do të luaj në miqësoren me Gramshin dhe do të mbyll marrëveshjen për të cilën kam rënë dakord dje me administratorin Ismet Saliaj. Kam biseduar me presidentin e Elbasanit dhe këto 2-3 ditë marr letrat nga Elbasani dhe më pas do të firmos për Dinamon. Do të largohem nga Elbasani për të ndërruar ambient. Ndërsa fakti se pse zgjodha blutë është se e konsideroj si shtëpinë time të dytë. Shpresoj që unë dhe të gjithë të tjerët do ta ndihmojmë Dinamon të ngjitet në Kategorinë Superiore, aty ku Dinamo e ka vendin”, ka përfunduar portieri me shumë eksperiencë, Elvis Kotorri. Ai pa dyshim do të jetë një vlerë e shtuar për Dinamon, por do ta ketë të vështirë vendin e titullarit, pasi numri një i portës, Lamellari, po kalon një formë mjaft të mirë.
Të tjerët – Drejtuesit e Dinamos presin që këtë javë të zyrtarizojnë edhe me Elio Shazivarin, i cili pret që brenda kësaj jave të zgjidhë problemin e letrave me Elbasanin. Ndërkohë që Bilibashi pritet të kthehet këto ditë te blutë, pasi nuk ka arritur një marrëveshje në Greqi, ku ai gjendej për provë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"