Elbasani zhgënjeu ndaj Flamurtarit, priten masa pas barazimit me shije humbjeje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 18:25

Elbasani zhgënjeu ndaj Flamurtarit, priten masa pas barazimit me shije humbjeje

Elbasani është ndalur me dy prej rivalëve direkt në shtëpi gjatë këtij edicioni në Kategorinë e Parë. Ndodhi me Bylisin pak javë më parë dhe së fundi edhe me Flamurtarin. Mund të shkonte edhe më keq, pasi mund ta humbnin, nëse nuk do të ishte ai vendim i dyshimtë në fund nga arbitri për anulimin e golit të Flamurtarit.

bandicam 2024-02-04 17-51-36-805

Gjithsesi, në Elbasan duket se ky barazim nuk është përtypur lehtë. Kjo, jo për faktin se rrezikohen objektivat e ngjitjes, pasi janë komodë në vendin e dytë, por mënyra se si ekipi nuk përligj investimet që janë bërë në klub, ku nuk kanë munguar afrimet e bujshme dhe të lojtarëve me eksperiencë. Madje ishte vetë trajneri Dede, ai që pohoi se pret më shumë nga ky kontingjent lojtarësh.

MBLEDHJA – Duket se Flamurtari sjell gjithnjë probleme tek Elbasani. Thuhet kështu, sepse pas humbjes në Vlorë fazën e parë drejtuesit bënë një mbledhje me ekipin dhe vunë ultimatum për katër fitore radhazi, sepse në atë kohë u vu në rrezik edhe vendi i dytë. Duket se e njëjta gjë do të pasojë edhe pas këtij barazimi, ku pritet një mbledhje në klub për të diskutuar situatën dhe parë se pse po çalon skuadra. Vetë ekipi do të bëjë analizën teknike të ndeshjes, por gjasat janë që të bëhet një analizë edhe me drejtuesit, në mënyrë që situata të mos precipitojë dhe Elbasani të vuajë sërish për të marrë fitoren. Ajo që u ka “djegur” më shumë drejtuesve është fakti se në dy ndeshjet që stadiumi u mbush nga tifozët, skuadra nuk mori dot fitoren.

TRAJNERI DEDE – Për mediat pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Nevil Dede nuk e ka fshehur zhgënjimin për këtë barazim. Sipas tij, një pikë ndaj Flamurtarit mund të pranohet, por nëse do të humbnin do të ishte e rëndë. “Është për të ardhur keq mënyra se si u zhvillua ndeshja dhe se si mund ta menaxhonim ne. Më vjen keq gjithnjë për mundin dhe djersën që djemtë japin dhe në fund fare më pas ndëshkohen për episode. Është fakt dhe evidente që duhet të përmirësojmë, sidomos menaxhimin e situata të caktuara. Jemi gjithmonë me një numër më të madh lojtarësh si në fazën mbrojtëse, por edhe kur ne ndërtojmë. Gjithsesi, një barazim përballë Flamurtarit, deri diku mund të pranohet.

Humbja do të ishte e rëndë. Vinim nga një gjendje e mirë e skuadrës me rikthimin e djemve. Ardit Hila po merr veten dhe Lila po bën mirë. Por gjithsesi, ne duhet të përmirësohemi akoma më shumë, duhet të menaxhojmë situatën. Me 10 veta… duam apo nuk duam jemi të mërzitur dhe të pakënaqur me rezultatin dhe mënyrën se si menaxhuam ato minuta. Duhet të ishim shumë komod dhe shumë pa presion”, mbylli prononcimin e tij tekniku i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"