Eksperimenton Sormani, Vila provohet si mbrojtës i majtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2016 | 14:40

Eksperimenton Sormani, Vila provohet si mbrojtës i majtë

Partizani ka vijuar edhe dje përgatitjet për ndeshjen e parë me Krasnodarin, që do të luhet më 18 gusht në Rusi. Mungesat në krahun e majtë të mbrojtjes, ku Kalari është i pezulluar dhe i riu Hakaj i dëmtuar, e detyrojnë trajnerin Adolfo Sormani të bëjë eksperimentin e radhës në këtë rol.

13913655_538428326351568_4112176888826992345_o

Prova që kreu me Atadën në Austri ndaj Salzburgut nuk doli e suksesshme, kështu që trajneri italian ka nisur të mendojë për një variant të ri. Nga ajo që është parë në seancën e djeshme, eksperimenti i radhës do t’i habisë të gjithë, pasi bëhet fjalë për pozicionimin e Emiljano Vilës si mbrojtës i majtë.

Në të shkuarën lojtari durrsak ka luajtur si sulmues i dytë, por në takimin ndaj Salzburgut në “Elbasan Arena”, pas daljes me të kuq të Kalarit, ai u spostua si mbrojtës i majtë. Me Filin e Torasën krahët e mesfushës konsiderohen të plotësuara, kështu që në disa raste Sormani e ka aktivizuar Vilën në qendër të mesfushës. Por, me sa duket, tani ka ardhur radha që mesfushori me tipare sulmuese të provojë një rol të ri.

Untitled-3

Gjithsesi, ky nuk është verdikti përfundimtar nga ana e trajnerit Sormani. Duke pasur edhe tri ditë kohë në dispozicion, italiani kërkon që me eksperimente të gjejë zgjedhjen e duhur në të majtë të mbrojtjes. Nëse deri dje ka pasur shumë pikëpyetje për prezencën e Ramadanit dhe Ibrahimit në Rusi, sot pritet që stafi teknik të marrë një lajm të mirë, pasi dy kosovarët parashikohet të jenë të gatshëm për të enjten.

Me konfirmimin e këtyre dy lojtarëve, trajneri Sormani do të ketë më shumë alternativa përzgjedhëse dhe pritet që sot të provojë edhe njëmbëdhjetëshen e mundshme për transfertën e Krasnodarit. Në dallim nga përballja e fundit me Salzburgun, Batha dhe Torasa duken në formë, pasi i kanë kaluar problemet fizike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"