Eksod te Flamurtari, do qëndrojnë vetëm 3 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2015 | 19:37

Eksod te Flamurtari, do qëndrojnë vetëm 3 lojtarë

Flamurtari gezon golin ne FierEksod masiv te Flamurtari, teksa në maj pritet shkrirja e ekipit. Në fund të këtij sezoni futbollistik, te vlonjatët me shumë gjasa do të largohen pjesa më e madhe e lojtarëve. Mungesa e rezultateve, si dhe dalja nga çdo objektiv do të jenë penalizues për pjesën më të madhe të skuadrës. Humbja e pësuar edhe në Durrës përballë Teutës, duket se ka rënduar edhe më shumë pozitat dhe në këto kushte, drejtuesit e klubit po shikojnë mundësinë e një formatimi të ri të Flamurtarit për edicionin e ardhshëm. Burime pranë klubit vlonjat kanë pohuar për “Panorama Sport” se në maj pritet të prishet kontrata me pjesën më të madhe të lojtarëve.

Ndonse te Flamurtari ka lojtarë që kanë nënshkruar edhe për dy vite e gjysmë, kjo nuk do të pengojë aspak krerët kuqezinj të prishin kontratat, pasi mësohet se ekziston një klauzolë, e cila e lejon zgjidhjen e saj, nëse nuk janë arritur objektivat. E ndërsa deri më tani nuk ka emra konkretë të lojtarëve, të cilët mund të mos jenë më pjesë e sezonit të ardhshëm, bëhet fjalë për largimin e pjesës më të madhe të ekipit, përfshi jo vetëm lojtarët që janë nënshkruar në fillim të sezonit, por edhe ata të ardhur në janar, ku këta të fundit kanë zhgënjyer jo pak. Një burim konfidencial pranë klubit vlonjat kanë bërë dje të ditur për “Panorama Sport” se nga grupi aktual mund të qëndrojnë për sezonin e ardhshëm dy ose tre lojtarë, shto këtu edhe lojtarët e akademisë. Pasi dështuan këtë vit, vlonjatët kanë publikuar tashmë edhe strategjinë e re të tyre, që synon ringritjen e ekipit, ku duket se do t’u besohet lojtarëve të akademisë për sezonin e ardhshëm.

Gjobat

Duke qenë se Flamurtari ka dalë jashtë çdo objektivi për këtë sezon, pritet që në fund lojtarët të marrin gjoba, të cilat do të jenë në masën e 40% -50% të kontratës. 30% të pjesës së kontratës që u mbahet si kontribut për sigurimet shoqërore dhe detyrimet në shtet nuk do t’u rimbursohet. Nëse do të kishin arritur objektivat, kjo pjesë e detyrimit do të rimbursohej. Mirëpo, secili nga futbollistët do të matet edhe me atë se çfarë ka dhënë në fushë. E ndërsa rendimenti ka lënë për të dëshiruar, me shumë gjasa do të ketë një tjetër gjobë që mund të variojë nga 10-20% e kontratës. Pra, futbollistëve të Flamurtarit pritet t’u përgjysmohet kontrata. Kjo do të jetë një masë që do të merret për të gjithë lojtarët, si për ata të cilët kanë firmosur në nisje të sezonit, ashtu edhe për ata që janë bërë pjesë e Flamurtarit në janar. Ndërkaq, lojtarët që kanë qenë pjesë e kuqezinjve që nga fillimi i sezonit, do t’u mbahet një rrogë më shumë, kjo si gjobë për shkak të polemikave të ndeshjes me Partizanin, e cila gjendet në prokurori tashmë. Kjo masë ndëshkuese do të zbritet nga paga e çdo muaji me qëllim që të mos merret në mënyrë të menjëhershme.

Përgatiti: Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"