EKSKLUZIVE/ Zekiç kërkon yllin e Partizanit në Kroaci, të kuqtë presin ofertën zyrtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 8:20

EKSKLUZIVE/ Zekiç kërkon yllin e Partizanit në Kroaci, të kuqtë presin ofertën zyrtare

Merkatoja e Partizanit ndizet që në “Ditën e Verës”. Kampionët në fuqi kanë një skuadër me mjaft individualitete, nga të cilët kërkojnë të përfitojnë financiarisht me anë të shitjes. Mes lojtarëve më të kërkuar është Maget Gueje, për të cilin “Panorama Sport” mëson se ka rënë në gjurmët e Osijekut të Zoran Zekiçit.

maget partizani tirana

Në janar 21-vjeçari ishte në qendër të merkatos, duke ngjallur interesin e emrave si Sivaspor apo Steaua e Bukureshtit, por në adresën e Partizanit nuk erdhi asnjë ofertë zyrtare me shifrat e pretenduara dhe gjithçka u la për në verë.

ZEKIÇ “KUMBAR” – Zoran Zekiç e njeh shumë mirë Magetin, pasi ishte pikërisht kroati, ai që i nxori tërësisht në pah cilësitë e senegalezit. Me vendosjen dhe udhëzimet që i dha, ndihmoi që i riu të shndërrohet në lojtarin kyç të formacionit të Partizanit. Si një nuhatës i mirë i talenteve “bio”, kroati e di mirë se çfarë “guri të çmuar” ka Partizani në duar dhe i ka kërkuar drejtuesve të Osijekut të ndërhyjnë për ta bërë të tyrin.

Gazeta mëson se aktualisht gjithçka është në kuadrin e bisedave, të cilat kanë rezultuar produktive dhe pritet që në javët, apo muajt në vazhdim Osijeku të prezantohet me një ofertë zyrtare. Shifra e këtij propozimi të parë pritet të shkojë deri në 600 mijë euro.

Në momentin që do të ndodhë kjo, klubet do të hyjnë në negociata, me Partizanin, që me siguri do të kërkojë më shumë. Kujtojmë se Osijeku pagoi plot 100 mijë euro në arkat e Partizanit vetëm për të liruar Zekiçin nga marrëveshja me “demat”.

010

NËN PRESION – Kontrata aktuale e Maget Gueje me Partizanin skadon në verën e vitit 2025. Klubi i kuq ka kryer disa tentativa për të rinovuar me senegalezin, por deri më tani e gjithë përpjekja nuk ka arritur të ketë rezultat.

I ndikuar edhe nga ofertat e shumta të ardhura drejt tij, Maget dëshiron që klubi ta shesë në verë, pas tri sezonesh te Partizani, ku mbërriti 19 vjeç. Në kushtet kur rinovimi nuk po vjen, Partizani vihet në presion për ta shitur.

SHTYLLË PËR EKIPIN – Maget po shkëlqen në këtë sezon me fanellën e kuqe, duke grumbulluar 4 gola dhe 2 asiste. Fakti që bën shkëlqyer të dyja fazat e lojës e bën numrin “14” një lojtar kyç për rreshtimin e kampionëve. Është fakt se çdo trajner që ndeshet me Partizanin, i kushton shumë rëndësi lojës së 21-vjeçarit dhe kërkon që të neutralizojë lëvizjet e tij.

“Ai gjatë gjithë lojës ishte pika kryesore e Partizanit, na thyente çdo aksion. Po të kalonim Magetin, kishim mundësi të shënonim shumë herë”, shprehej ish-trajneri i Laçit, Skerdi Bejzade, pas ndeshjes së fazës së parë, Partizani-Laçi.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"