EKSKLUZIVE/ Zbardhet letra e Kukësit për Dukën, klubi verilindor shpall “non grata” tre gjyqtarë dhe tre delegatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2023 | 22:41

EKSKLUZIVE/ Zbardhet letra e Kukësit për Dukën, klubi verilindor shpall “non grata” tre gjyqtarë dhe tre delegatë

Duket se rasti i penalltisë së paakorduar ndaj Kukësit në ndeshjen me Egnatian, ka sosur durimin në kampin verilindor. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se blutë kanë bërë një ankesë zyrtare në FSHF.

Penalltia e pretenduar nga Kukësi

Penalltia e pretenduar nga Kukësi

Ata kanë shpallur “non grata” gjyqtarët e ndeshjes me rrogozhinasit, si dhe tre delegatë që kanë qenë pjesë e ndeshjeve të tyre përgjatë këtij kampionati. Nëse nuk merren masa, klubi i Kukësit mund të shkojë deri në hapa ekstremë, duke kërcënuar të lërë garën në mes, pasi sheh se po i bëhet padrejtësi. Gazeta ka siguruar letrën e plotë, ku i dërgohet Komisionit të Arbitrimit, sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku dhe presidentit Armand Duka.

KËRKESA “Në kushtet kur ekipi ynë ka tri vite që nuk merr pjesë në kompeticionet e UEFA-s, sërish ne po përpiqemi të luftojmë për të luajtur një kampionat të rregullt dhe të drejtë. FK Kukësi po tregon se është i gatshëm të përballet në mënyrë të barabartë me çdo ekip në Superiore dhe nuk kërkon lëmoshë nga asnjë, por thjesht kërkon ta lënë të luajë futboll. Në ndeshjen që patëm me KF Egnatia, në datën 31.10.2023, në stadiumin ‘Arena Egnatia’, klubit të Kukësit i janë bërë disa padrejtësi nga ana e gjykimit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes. Për të qenë më konkretë, ne po i rendisim këto shkelje nga ana e arbitrimit si në vijim: Në minutën e 60-të, mbrojtësi i Egnatias, në zonën e 16- metërshit, ka rrëzuar në tokë gjatë vrapimit me top lojtarin e Kukësit, Atdhe Rashiti, duke i mohuar këtij një gol të sigurt në portën e ekipit pritës. Ndërkohë që gjyqtari Andi Koçi bashkë me VARin Olsi Ferataj dhe AVAR-in Silvio Dyrmishi (përsëritës i shkeljeve ndaj Kukësit) nuk denjuan as të japin penallti dhe as të kontrollojnë VARin, duke bërë që loja të mos jetë ‘fair’.

Për këtë arsye, kërkojmë që arbitrat e mësipërm, të cilët kanë treguar një nivel të dobët në lidhje me arbitrimin dhe kanë gabuar me dashje, duke e dënuar klubin tonë në mënyrë të padrejtë në fushën e lojës, të mos na caktohen më nga federata për të arbitruar ndeshjet ku klubi ynë merr pjesë. Gjithashtu, kërkojmë që delegatët e renditur më poshtë të mos caktohen më në ndeshjet ku merr pjesë Kukësi, pasi kanë treguar njëanshmëri, duke marrë vendime ekstreme, me përmbajtje personale të pabazuara në rregulloret e FSHF-së, si dhe kanë dhënë sinjale të qarta ku shprehin pëlqime për ekipe të tjera dhe përbuzje për ekipin dhe zyrtarët tanë, veprime të cilat janë konkluduar me dënimet shumë të mëdha financiare ndaj nesh, duke na dëmtuar edhe financiarisht.

Konkretisht, delegatët: Bujar Pregja, Petrit Brahja, Besnik Çela. I lutemi FSHF-së që të marrë parasysh këtë kërkesë, pasi në të kundërt do të jemi të detyruar të ndërmarrim vendime drastike kundrejt kampionatit deri në tërheqje nga gara. Nga ana jonë po ju vëmë në dispozicion edhe pamjet filmike të këtyre argumenteve që parashtrojmë”.

6 7

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"