EKSKLUZIVE/ Xhixha drejt largimit, Shehi kërkon merkato për Tiranën: Shpresoj të gjejmë lojtarët e duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2022 | 21:51

EKSKLUZIVE/ Xhixha drejt largimit, Shehi kërkon merkato për Tiranën: Shpresoj të gjejmë lojtarët e duhur

Te Tirana duhen lojtarë. Në sulm, në krahun e djathtë të mbrojtjes, por edhe në mbrojtje. Ky është synimi i klubit bardheblu në këtë janar. Kampionët kërkojnë të afrojnë lojtarë në çdo repart, ndërsa Shehi është i bindur që skuadrës nëse i ikën Xhixha, i duhen të paktën dy sulmues.

SHEHI

Në këtë moment që flasim, Halili, Shehi dhe Osmani janë duke vrarë mendjen për të afruar futbollistë. Emra ka sa të duash, por gjërat nuk janë të lehta. Shehi nga ana e tij kërkon lojtarë, sepse skuadra kërkon organikë. Vetë trajneri i Tiranës pranon një fakt të tillë për “Panorama Sport”.

“Kemi një ndërprerje dhe shpresoj që gjatë kësaj ndërprerjeje të qetësohemi. Të vazhdojmë punën siç kemi bërë deri në këto momente dhe gjatë vështirësive. Në futboll janë të tria rezultatet. Duhet të rikuperojmë lojtarët e dëmtuar. Shpresojmë që të gjejmë ndonjë lojtar të duhur në merkato, sepse realisht kemi nevojë. Kemi edhe ne pikat ku duam të forcohemi. E dimë që në këtë periudhë është e vështirë që të gjesh lojtarët e duhur, pasi futbollistët e mirë janë nën kontratë. Në këtë maratonë gabimet duhet të jenë sa më të pakta. Gjashtë pikë të lëna janë shumë, por kampionati është i gjatë e ka ende ndeshje të tjera dhe akoma nuk është mbyllur faza e dytë”, tha Shehi për gazetën.

MERKATO – Sezonin e shkuar Tirana afroi vetëm një futbollist në janar, De Silvën, por ai nuk qëndroi më shumë se gjashtë muaj dhe më pas u largua.

Sërish për bardheblutë ka dalë në skenë emri i Kristal Abazajt, por një gjë e tillë ka ndodhur të paktën në tri merkatot e fundit.

Një sulmues i lirë është Erald Çinari, por për momentin te Tirana thonë që ai është larg bardhebluve. Tirana dhe drejtuesit e saj kanë si qëllim që të afrojnë lojtarë të njohur shqiptarë që kanë luajtur më parë jashtë Shqipërisë dhe duhet të ringjallen, duke u kthyer në Superiore.

TITULLARË ME VALIXHE – Tirana duhet të mendohet mirë dhe të shpejtojë për të nisur rinovimet, sepse pesë lojtarë të formacionit rrezikojnë të ikin në fund të sezonit. Kjo pasi u mbaron kontrata.

Kështu, Vesel Limaj, Zhoselin Behiratçe, Albano Aleksi, Kristijan Toshevski dhe Visar Bekaj në maj të 2023- shit do të jenë pa kontratë.

Pa kontratë në verë dalin edhe lojtarë nga stoli i rezervave si Ilion Lika, Bruno Lulaj, Realf Zhivanaj dhe Ardit Hila.

Kohët e fundit është diskutuar për një largim të mundshëm të Zhivanajt dhe Limajt që në janar, pasi nuk po gjejnë hapësira në skuadrën bardheblu.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"