EKSKLUZIVE/ “Vuajta në Francë”, Skuka: Ekipi i vërtetë duket në Superiore, Partizan luaj si me… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2023 | 23:59

EKSKLUZIVE/ “Vuajta në Francë”, Skuka: Ekipi i vërtetë duket në Superiore, Partizan luaj si me… (E PLOTË)

Xhuliano Skuka është rikthyer dhe dalën gadalë po ringjit shkallët për të kapur majat e për t’u kthyer në ditët e mëdha të sezonit të shkuar te Partizani. Pas gjashtë muajsh shumë të vështira te Metzi, ku grumbulloi pak më shumë se një orë lojë në gjithë pjesën e dytë të sezonit, dibrani duket se ka gjetur sërish formën dhe vetveten te Maribori në Slloveni.

SKUKA 1

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi rrëfen vështirësitë në Francë, në ato gjashtë muaj te Metzi, ku u shit për 1.4 milionë euro nga Partizani, pas një gjysmë sezoni të jashtëzakonshëm, ku “rrëzëlleu” edhe me Kombëtaren. Tashmë ka nisur një kapitull i ri me Mariborin, ku ka arritur të shënojë dy gola dhe ndihmoi skuadrën të kualifikohej në Ligën e Konferencës. Dibrani ka edhe disa këshilla për Partizanin, teksa shprehet se për momentin të kuqtë nuk e kanë një “Skuka 2”.

Xhulio, sa të vështira ishin muajt te Metzi? Çfarë nuk shkoi?
Për mua kanë qenë muajt më të vështira në karrierë. Mendoj se ndikoi shumë ana psikologjike. Që një lojtar kyç të një ekipi që lufton për titullin, të shkojë në një tjetër skuadër, ku luan shumë pak minuta gjatë ndeshjeve, është një situatë shumë e vështirë. Pastaj, duke parë edhe formën shumë të mirë të Mikautadze, ishte e kuptueshme që do të kaloja një kohë të vështirë. Ndoshta nuk isha me fat.

Si po ndiheni në këto ditë të para te Maribori?

Të them të drejtën, vij nga një gjendje e vështirë psikologjike, siç e thashë më lart, por jam ambientuar mirë dhe shpejt. Arrita të shënoj që në ndeshjet miqësore dhe kjo më ndihmoi. Këtu kam gjetur njerëz shumë të mirë dhe mikpritës. Më kanë afruar shumë dhe kjo më shtyn të kthehem në ditët e mia më të mira.

Mendoni se kanë ndikuar miqësoret e verës së shkuar të Partizanit me Mariborin për transferimin në Slloveni?

Nuk e di të të them të drejtën, por kam pasur të dhëna se Maribori më ka kërkuar edhe para se të transferohesha te Metzi.

Shënuat në miqësore dhe e ndihmuat ekipin të kualifikohej në Ligën e Konferencës. E prisnit këtë start?

Në fakt e prisja, sepse kam punuar shumë fort. Kemi një ekip shumë të mirë dhe duhet të përparojmë sa më shumë. Cilësia e shokëve të skuadrës ka ndikuar në arritjen e formës dhe shënimin e golave të mi të parë.

Sa lart mendoni se mund të shkoni me Mariborin?

Nëse arrij të bëj këtu atë që bëra me Partizanin, mendoj se do të arrij shumë lart. Po punoj fort dhe shpresoj që edhe fati të jetë me mua në këtë eksperiencë.

E keni ndjekur Partizanin? Si ju është dukur me Zekiçin?

Normal që e ndjek dhe do ta bëj këtë në gjithë jetën time. Më pëlqen qasja që ka ekipi në përgjithësi. Pas kësaj ndeshjes së fundit duhet të kthehen tek intensiteti që kishin me BATE-n.

Që kur jeni larguar nuk e kanë një “vrasës serial” para portës. Mendoni se i mungoni Partizanit?

Jo, besoj se edhe lojtarët që ka aktualisht në skuadër, kanë aftësinë për të bërë atë që bëra unë. Kanë ende shumë cilësi në sulm.

Ju erdhi keq që u eliminuan ndaj BATE-s? Ku gabuan?

Më erdhi keq, sepse nuk e merituan. Mendoj se duhet të ishin më të përqendruar përpara portës, vetëm kjo u mungoi.

Përse mendoni se nuk dolën në lojën e vet ndaj Atletik Eskaldes?

Ka disa ndeshje, kur ekipi kundërshtar të zbret në nivelin e vet dhe ti ngec. Por mendoj se më ndeshjen e kthimit do të shohim një tjetër Partizan.

Cili ekip i të kuqve ju duket më i fortë? Ky apo i vjetshmi?
Nuk e di, është herët për të thënë, sepse edhe ne vitin e shkuar e nisëm në mënyrë të ngjashme, duke u eliminuar në ndeshjet ndaj Saburtalos. Këtë vit kanë edhe një shans të dytë, por unë mendoj se ndryshimet dhe fytyrën e vërtetë të ekipit do ta shohim në kampionat.

Cili mendoni se mund t’ju zëvendësojë te ky Partizan?
Mba është një lojtar shumë i mirë dhe po udhëheq sulmin e Partizanit, por ai ka karakteristika të ndryshme nga unë. Duke parë se atje tashmë është afruar edhe një sulmues i nivelit europian si Grezda, besoj se edhe ai do të vijë shpejt në formën e tij më të mirë dhe mund t’i bëjë punë ekipit. Ama një “Skuka 2” nuk e kanë (qesh). E them këtë për sa u përket karakteristikave si lojtarë. Dua të theksoj se Keko më besim dhe punë të palodhur do të bëhet një lojtar i rëndësishëm për Partizanin dhe mund ta ndihmojë Partizanin.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"