EKSKLUZIVE/ Tripletë nga stoli, Gomesh tregon për aventurën në Shkodër: Vllaznia është për titull, dy gola i kam shënuar si Benfikës e Sportingut (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 21:36

EKSKLUZIVE/ Tripletë nga stoli, Gomesh tregon për aventurën në Shkodër: Vllaznia është për titull, dy gola i kam shënuar si Benfikës e Sportingut (E PLOTË)

Tri gola si zëvendësues! Kjo ndodh rrallë në futboll, por sulmuesi brazilian i Vllaznisë, Bruno Gomesh, arriti që të shënojë tri herë pas aktivizimit në minutën e 84-t.

Sulmuesi i Vllaznisë, Bruno Gomesh, duke festuar një nga golat kundër Erzenit

Sulmuesi i Vllaznisë, Bruno Gomesh, duke festuar një nga golat kundër Erzenit

Teksa realizoi në kohën shtesë kundër Erzenit 3 gola, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 27-vjeçari që erdhi te Vllaznia pas eksperiencës në Portugali me Nacional, dikur ish-ekipi i Ronaldos, tregon për momentin që po kalon në Shkodër, si dhe për faktin që nuk preferohet si titullar.

Ai mendon se mund të jetë një sulmues fiks për formacionin e Vllaznisë, por respekton zgjedhjet e trajnerit Qatip Osmani, i cili në vendin e tij ka preferuar Bekim Balajn, i cili është golashënuesi më i mirë. Gomesh flet edhe për jetën në Shkodër dhe çfarë i ka bërë përshtypje në këtë periudhë, teksa zbulon se është në pritje të një fëmije.

Bruno, u fute si zëvendësues dhe shënove tre gola kundër Erzenit. A ju ka ndodhur kjo më parë në karrierën tuaj?

Unë kam shënuar dy gola kundër klubeve të mëdha në Portugali si Benfika dhe Sporting Lisbona, por si profesionist ishte hera e parë që shënova tre gola brenda një ndeshjeje dhe për më tepër si zëvendësues.

Keni luajtur shumë pak, ju shqetëson kjo situatë?

Po, është normale, çdo sportist që është fitues dhe mendon si fitues, është e pakëndshme që nuk luan shumë. Jeta jonë si futbollist është e tillë, por në fushë luajnë vetëm 11 lojtarë. Të gjithë po jetojmë një moment të pabesueshëm dhe nuk ka vend për egoizëm. Ne jemi një skuadër dhe secili ka rëndësinë e vet. Kur kam mundësi, përpiqem të tregoj se mund të jem i rëndësishëm dhe gati për formacionin si gjithë të tjerët.

Çfarë ju ka thënë trajneri Osmani për faktin që nuk luani si titullar?

Unë i respektoj vendimet e trajnerit. Në skuadrën tonë të gjithë duan dhe mund të luajnë si titullarë, pasi e kanë kapacitetin të jenë në mesin e 11 startuesve. Çdo stërvitje e kemi treguar këtë, por është trajneri që vendos në fund kur të futemi në fushë. Ne vazhdojmë të tregojmë se mund dhe duam të jemi gjithmonë në 11-en e parë.

Vllaznia ka në sulm Balajn dhe Grudën, të cilët kanë shënuar rregullisht. Ju besoni se mund ta fitoni konkurrencën me ta?

Mendoj se kam cilësinë dhe aftësinë që të jem gjithmonë titullar, por në fund është zgjedhja e trajnerit.

Si është kampionati shqiptar në krahasim me vendet ku keni luajtur më parë?

Është një kampionat konkurrues, ku gjithçka mund të ndryshojë në çdo moment. Mendoj se është më pak konkurrues me kampionatin portugez dhe atë italian ku kam qenë, por janë gara të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm. Futbolli është shumë i ngjashëm sot, sepse kush gabon më pak në çdo kompeticion është ai që fiton.

A ka ndonjë gjë që të bën përshtypje nga kampionati shqiptar?

Tifozët e Vllaznisë janë ata që më bëjnë më shumë përshtypje dhe këtë e kanë treguar në ndeshjen kundër Tiranës. Mesa kam parë deri tani janë më mbështetësit, prandaj dhe lojërat tona kanë gjithmonë shumë tifozë dhe kjo është diçka e mirë.

Si është për ju një ditë në Shkodër?

Shumë e qetë, nuk ka shumë për të bërë. Megjithatë, unë dhe familja ime, gruaja ime shtatzënë dhe vajza ime e vogël, jemi në gjendje të shëtisim nëpër qendër, shkojmë në restorante. Gjithmonë shërbehemi mirë kudo ku shkojmë.

Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen nga kjo eksperiencë në Shqipëri?

Ajo që më pëlqeu më shumë ishte mënyra sesi më trajtuan kur erdha. Të gjithë ishin gjithmonë shumë të sjellshëm me mua, shumë miqësorë, si brenda klubit dhe sidomos jashtë. Më trajtonin gjithmonë mirë dhe me edukatë.

Sigurisht që ka përjashtime si në çdo shtet (qesh), por në përgjithësi më kanë pritur shumë mirë. Ajo që nuk më pëlqen është distanca që jemi nga familja, sidomos tani me gruan time shtatzënë. Është një gjuhë shumë e ndryshme nga e jona, sado përpjekje të bëjmë për ta folur dhe kuptuar. Mendoj se është shumë e ndërlikuar

Si e shikoni garën për titullin kampion dhe cili nga rivalët mendoni se është më i forti?

Është ende një garë e gjatë, ku në fund ka edhe një “Final 4”. Duhet të vazhdojmë të punojmë, duke dashur gjithmonë të fitojmë gjithnjë e më shumë, por me këmbë në tokë. Të gjithë rivalët janë të fortë dhe të aftë për të qenë kampionë, ashtu si ne. Duhet të ndjekim rrugën tonë, pa menduar për të tjerët.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"