EKSKLUZIVE/ “Titulli do të mbetet në kryeqytet”, Agustin Kola: Derbi i Tiranës, tifozët të shmangin sherret (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 19:20

EKSKLUZIVE/ “Titulli do të mbetet në kryeqytet”, Agustin Kola: Derbi i Tiranës, tifozët të shmangin sherret (E PLOTË)

Tirana dhe Partizani do të ndezin javën e 15-të të Superiores, me derbin e kryeqytetit që do të luhet më 21 dhjetor, në stadiumin “Air Albaia”. I intervistuar nga “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Tiranës, Agustin Kola, foli për këtë derbi dhe gjithashtu për Botërorin.

KOLASS

Legjenda e Tiranës e sheh kampionen në fuqi në garë me Partizanin për titullin e këtij. Agustin Kola, deklaroi se në këtë 90- minutësh duhet patjetër që Tirana të fitojë. Ai mendon se ndeshje të këtij niveli i vendosin përgjithësisht lojtarët ekspertë në sulm si Xhixha dhe Skuka, ndërsa kërkon që në fund tifozët ta shohin këtë ndeshje si luftë vetëm 90 minuta në fushë, ndërsa më pas vëllezër në rrugët e Tiranës, ose siç ka ndodhur gjithmonë.

Si e shihni ndeshjen e radhës derbi mes Tiranës dhe Partizanit që luhet të mërkurën?
Unë mendoj se një nga këto dy ekipe shoh që mund të shpallet kampione e Shqipërisë. Flas për Tiranën dhe Partizanin. Tani të them të vërtetën, unë dua që të fitojë Tirana titullin kampion dhe derbin.

Përse thoni se një nga këto dy ekipe do të fitojë titullin kampion në fund të kampionatit?
I kam parë me kujdes, të dyja skuadrat janë të plota si në organikë dhe stafe. Kanë futbollistë cilësorë dhe në fund të dyja kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira në fushë. E meritojnë kreun e renditjes.

Cili është ndryshimi mes dy skuadrave për sa i përket cilësisë në fushën e lojës?
Tirana dhe Partizani janë aty-aty. Nuk kanë ndryshime të mëdha. Janë detaje të vogla që bëjnë diferencën. Janë të ngjashme, sepse kanë sulmues shumë të mirë. Në një krah është Xhixha për Tiranën dhe në krahun tjetër është Skuka për Partizanin. Janë dy sulmues që bëjnë gola. Tamam për skuadrat e mëdha siç janë Tirana dhe Partizani. Të dy më pëlqejnë dhe këtë vit është diçka e veçantë.

Gjithsesi, duke lënë pas krahasimet, Tirana ka dy vite që nuk e humbet derbin. Mendoni se është një plus për bardheblutë?
Tani mos na merrni “mësysh”… Këtë nuk duhet të ma thoshe. Duhet të ma kishe përmendur pas lojës. Statistikat janë një anë, ndërsa derbi është diçka tjetër…

Tirana fitoi Superkupën e Shqipërisë, mundi Kastriotin, por u mund me Teutën? Ndikon kjo humbje?
Të themi të vërtetën. Nuk është turp që të të mundë Teuta. Skuadra durrsake apo Laçi, Tirana, Partizani janë skuadra kryesore të Superiores. Kanë 15 vite që luajnë nëpër Kupat e Europës. A u mund Spanja me Marokun? Nuk është turp që të të mundë asnjë skuadër. Derbet gjithmonë përgatiten ndryshe. Në kohën tonë ne kemi qenë më fanatikë, sot kanë ndryshuar gjërat. Në kohën tonë ne nuk kishim mundësi të bënim merkato. Partizani e Dinamo e kishin luksin e merkatos në kohën tonë.

Çfarë lojtarësh dhe në cilat pozicione i duhet të përforcojë ekipi i Tiranës?
Problemet i dinë vetë drejtuesit. Unë dua që mundësisht të marrë edhe Mesin. Në këtë moment duhet të shohim anën financiare. Të gjithë presidentët po hedhin para dhe nuk po marrin asgjë pas.

Si ishte të prisje derbin në vitet ’80. Çfarë ndodhte në skuadrën e Tiranës?
Derbin mezi e prisnim. Nuk na zinte gjumi një javë para ndeshjes derbi. Nga ana tjetër, tifozët i japin bukuri ndeshjes, por vetëm kujdes…

kola agustin

Përse thoni kujdes?
Them kështu, sepse zihen jashtë stadiumit. Nuk duhet të ketë sherr jashtë. Tifozët i japin bukuri, por larg sherreve dhe rrëmujës. Ua kujtoj të gjithëve edhe atyre që nuk duan ta kuptojnë. Jemi armiq në fushë për 90 minuta, vëllezër pas ndeshjes. Unë personalisht dua të fitojë derbin Tirana dhe kampionatin. E përsëris këto dy skuadra vendosin titullin.

Ju pëlqen fakti që kryeqyteti është rikthyer qendra e futbollit në Shqipëri?
Vllaznia ka sjellë futbollin në Shqipëri. Në kohën tonë, Tirana, Dinamo, Partizan dominonin kampionatin. Këtu nuk dua të heq apo të mos respektoj ekipet e tjera. Futbolli ynë ka në histori edhe Vllazninë, por po ta shohësh edhe në vende të tjera si Italia, historinë e kanë bërë Juve, Milan, Inter. Një herë në 100 vjet mund ta fitojë Napoli. Prandaj dua të them. Skuadrat e kryeqytetit kanë histori. Për më tepër që gjithë Shqipëria po vjen në Tiranë.

Ju pëlqeu finalja e djeshme në Botëror?
U kënaqa. Ishte ndeshje e madhe. E vendosën lojtarët me përvojë, Mesi e Di Maria. Shpirti i garës është një gjë. Cilësia dhe përvoja një gjë tjetër.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"