EKSKLUZIVE/ “Tirana ka mangësi në sulm, i duhet urgjentisht…”, Omuri: Nuk vazhdohet me Vangjelin dhe Najdovskin në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2020 | 22:31

EKSKLUZIVE/ “Tirana ka mangësi në sulm, i duhet urgjentisht…”, Omuri: Nuk vazhdohet me Vangjelin dhe Najdovskin në mbrojtje

Bedri Omuri është i drejtpërdrejtë. Tirana do të luftojë për titull, por nuk e ka skuadrën e sezonit të shkuar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori analizon grupin dhe gjen pikat e dobëta në grup. Thotë se për Egbonë do të shihet në vazhdimësi, ndërsa këshillon edhe ku duhet të lëvizin bardheblutë.
bedri omuri
Zoti Omuri, Tirana shkoi deri në turin e katërt të Europa League, por nuk mundi të kualifikohej në fazën e grupeve. Një opinion për këto kualifikuese?

Duhet ta pranojmë që ishte një arritje e madhe që Tirana shkoi deri në “play off”-in e Europa League-s, por nuk mundi të kualifikohej për më tej. Personalisht më pëlqeu ndeshja që luajtën në Shqipëri me Crvena Zvezdën. Ishin në nivele shumë të larta. Nuk më pëlqeu as në Gjeorgji, edhe pse u kualifikua, dhe në sfidën e Zvicrës. Duke e parë me gjakftohtësi, them se skuadra ka mangësi nga ekipi i vjetshëm. Për këtë qëllim nuk ia doli të shkonte në grupe. Ju thoni që ka mangësi në skuadër.
Tirana5

 

Ju thoni që ka mangësi në skuadër. Sipas jush, ku konsistojnë këto mangësi: në mbrojtje, mesfushë apo sulm?

Sipas meje, sulmi është reparti me probleme. Është shumë i vakët në lojë dhe nuk shënon. Me një djalë të ri si Muçi nuk është se shtyhet kampionati. Te Muçi dua të shtoj se është i ri dhe me shumë perspektivë, por nuk mund t’ia ngarkosh një barrë kaq të rëndë. Po kështu me probleme shoh edhe mesin e fushës.

Batha është në nivel, por edhe ai është i dëmtuar dhe nuk ka dhënë maksimumin. Do të ketë shumë probleme në këtë repart. Kam parë që edhe dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm janë të dëmtuar. Kjo do të ndikojë në lojën e tyre gjatë kampionatit. Të dalim te mbrojtja, edhe ajo nuk është në maja. Ka dy lojtarë që nuk janë tamam për atë rol. Nuk kanë një pikë të fortë që të jetë lider në atë repart. Ashtu siç dështon të luajë Egboja me Vangjelin dhe Najdovskin në qendër nuk vazhdohet. Edhe golat që u pësuan e treguan që aty ka mangësi. Me Jang Bojsin u pësua goli nga ajri. Lufta në ajër nuk ekziston. Pa një qendërmbrojtës të gjatë dhe me eksperiencë do ta kenë të vështirë dhe do të kenë probleme.

Keni një mendim për merkaton e Tiranës? Është në nivelin për të qenë në skuadrën kampione për këtë sezon?

Kush i ka parë? Vetëm me një ndeshje nuk mund të flasësh. Kam parë Najdovskin në sfidat e luajtura deri më sot. Një ndeshje ka luajtur mirë. Në sfidat e tjera nuk më ka pëlqyer. Afrimet e tjera nuk i kam parë dhe nuk mund të them me saktësi se çfarë lojtarësh janë. Nuk mund t’i paragjykoj.

Te Tirana janë mësuar që largojnë edhe trajnerë kampionë. Bënë mirë që mbajtën Egbonë në ekip?

Do të shohim në vazhdimësi dhe vazhdimësinë e kampionatit. Nuk besoj se do të jetë Tirana e vjetshme. Me elementët që ka nuk ia dalin. Ndoshta mund të marrin ndonjë përforcim tjetër këto ditë, por me këtë grup nuk janë të parët në luftën për titull. Nuk e kuptova largimin e Muçës. Nuk mund t’i thuash as i vjetër, sepse kur e merr Prishtina, nuk mund të thuash që është nga fundi i karrierës.

BEDRI OMURI (1)

Si e shihni bojkotin e kampionatit? Keni një mendim për këtë pushim të futbollit?

Mirë nuk është. Skuadrat vetëm po stërviten. Është stërzgjatje dhe nuk mbahet forma me miqësore. Sezoni mori një rrjedhë tjetër. Tani do të kishim skuadrat dhe formën e qartë të kampionatit. Ndoshta u bëhet mirë në aspekte të tjera, por skuadrat i ka dëmtuar.

Cilën nga skuadrat shihni për titull, duke llogaritur që Tirana do të mbrojë trofeun?

Tirana përherë për titullin do të luajë, sepse nuk ka rrugë tjetër. Gjithsesi, unë shoh në pozicion të mirë Teutën dhe është përforcuar shumë, sidomos me Bregun. Edhe Kukësi është shumë mirë, paçka se i kanë ikur disa lojtarë. Gjithsesi, jam i bindur se Gega do të bëjë gjëra të mira.

Ju i shpjeguat problemet e Tiranës. Çfarë i duhej kësaj skuadre këtë sezon për të qenë kampione?

Urgjentisht një sulmues që shënon. Ngoja mund t’u bënte punë, por nuk dihet nëse vjen. Ai lojtar i duhet Tiranës. Për të tjerët është një rebus.

Tirana tani ka strategjinë e të rinjve. Dhjetë lojtarë kanë firmosur…

Normalisht është gjë e mirë, por në skuadër duhen edhe lojtarë me eksperiencë për të vazhduar kampionatin. Tirana vitin tjetër mund të jetë më e fortë se skuadrat e tjera. Ama skuadrës i duhen lojtarë tani që të mbajnë peshën e sezonit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"