EKSKLUZIVE/ “Të ishte në dorën time nuk e largoja Imamin”, Idrizi: Qenka hapur lojë e madhe për Memollën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 23:46

EKSKLUZIVE/ “Të ishte në dorën time nuk e largoja Imamin”, Idrizi: Qenka hapur lojë e madhe për Memollën

Sinan Idrizi paralajmëron “bum” në merkato. Administratori nuk ka në plan që të kursehet për Flamurtarin, aq sa ka planifikuar të paktën katër afrime nga Superiorja.

Idrizi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, konfirmon kontaktet me Jurgen Goxhajn dhe lë të hapur tratativat për Hysen Momollën. Me largimet janë mbyllur këtu llogaritë, duke qetësuar pjesën tjetër të organikës. I kthehet edhe njëherë çështjes “Imami”, që tashmë ka kaluar te rivalët e Vorës.

Një nga emrat e përfolur në merkaton e Flamurtarit është Jugen Goxha, si është e vërteta?
Kanë hyrë në kontakt drejtuesit e klubit dhe ata të stafit teknik. Kaq e di, por më besoni që nuk e di si e ka këtë punën e kontratës. Unë personalisht nuk kam folur me të. Por nuk është vetëm ai.

Na tregoni pak më shumë atëherë…
Ju them se janë edhe 3-4 lojtarë të tjerë që kemi kontaktuar. Janë edhe të një niveli më të lartë. Po bisedojmë me futbollistë të Superiores. Mendoj se janë lojtarë që bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar.

Po kontaktet me Hysen Memollën e Egnatias i konfirmoni?
Pse flitet dhe për këtë te Flamurtari?! (Qesh). Epo qenka hapur lojë e madhe o vëlla… Të thashë që kemi dy blerje që do të jenë të mira. Pra, ne kemi dy superlojtarë për të sjellë, por akoma jemi duke folur. Të presim tani çfarë do të ndodhë. Stafi po punon me përkushtim.

Nuk do të kurseheni as në këtë?
Të kursehemi tani? Jo, nuk ka shanse. Ju e dini shumë mirë që ne nuk jemi kursyer asnjëherë. Por ideja është që të sjellim njerëz cilësorë. Buxheti ynë ka qenë i lartë, por fatkeqësisht kemi dështuar. Megjithëkëtë, buxheti do të jetë i konsiderueshëm edhe për pjesën tjetër të mbetur të sezonit.

Po largime do të ketë në vijim?
Jo, i mbyllëm. Me vitin e ri nuk do të ketë më largime. Ata që dolën jashtë pritshmërive u larguan nga stafi. Kishin pritshmëri të larta tek ata. Teksa nuk dhanë çfarë ne prisnim, normalisht që rrugët tona u ndanë.

Imami shumë shpjet u sistemua, e morën rivalët tuaj të Vorës. Ju vjen keq që nuk e penguat si largim?
Unë u thashë që e mban përgjegjësinë stafi për largimin e tij. Po të ishte në dorën time, në rastin konkret nuk e largoja. Mua më vjen mirë që u sistemua shpejt, por më tingëllon çik çuditshëm kur themi “iku te rivalët”… Nuk e shoh fare kështu. Ata djemtë që kanë Vorën, janë vërtet seriozë dhe po bëjnë gjëra të mira. Është ekip që luan futboll dhe shumë mirë madje.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"