EKSKLUZIVE/ “Te Dinamo qëndroja për komoditet”, flet trajneri i Apolonisë: Efekti “Kamarata”? Nëse të gjitha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2021 | 9:41

EKSKLUZIVE/ “Te Dinamo qëndroja për komoditet”, flet trajneri i Apolonisë: Efekti “Kamarata”? Nëse të gjitha…

Efekti “Kamarata” është ndier tek Apo lonia. Në vijën e parë skuadra është ende “jo”, ndërsa në prapavijë fierakët janë “italianizuar”, me një mbrojtje më hermetike sipas “dorës” së Kamaratës, e dukshme në mesataren e golave të pësuar nën drejtimin e tij: 11 gola në 11 ndeshje. Gjithsesi, për kryepankinën fierake nuk kanë rëndësi shifrat dhe statistikat, por e ardhmja, javët e mbetura dhe objektivi i mbijetesës së Apolonisë, që vijon qysh nga ndeshja e radhës me Kukësin. Përpara këtij ballafaqimi, trajneri Kamarata flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Kamarata Apolonia

Pas humbjes me Bylisin, ekipi ka reaguar dhe ka marrë pikë me Laçin, Kastriotin dhe Partizanin. Ka një sekret tuajin në këtë drejtim?

Po, ka. Asgjë më shumë se fakti që lojtarët kanë zbatuar mirë detyrat e ngarkuara dhe kanë luajtur solidë gjer në fund. Nëse vazhdojmë kështu, është e vështirë që ndonjë skuadër të dalë fituese me Apoloninë, e them me shumë bindje.

Si e vlerësoni këtë përvojë trajnimi tek Apolonia, a është brenda pritshmërive tuaja dhe asaj që patët menduar në krye të ardhjes suaj?

Shikoni, nuk erdha në Fier se prisja “fushë me lule” dhe gjithçka të shtruar. Po të ishte për komoditet, qëndroja Dinamo, skuadër me të cilën ishim në krye dhe me diferenca të konsiderueshme në të gjitha aspektet me rivalët. Jam tek Apolonia me ndërgjegje dhe vetëdije të plotë për vështirësitë që më prisnin. Kjo është sfida të cilën e kam kërkuar vetë dhe që do t’i shkoj gjer në fund, bashkë me skuadrën.

Ndoshta një pyetje jashtë logjikës së ndeshjes me Kukësin, por e lidhur me të shkuarën tuaj, meqë përmendët Dinamon që e ka humbur vendin e parë. Keni një koment?

Nuk është në “stilin” tim të merrem me të kaluarën, s’është etike, sepse atje tashmë është djersa dhe mundi i tjetërkujt. Jam i Apolonisë dhe mendoj e punoj çdo çast vetëm për Apoloninë. Për Dinamon mund të them se kam shumë besim që mund t’ia dalë dhe i uroj veç suksese.

Efekti “Kamarata” është ndier tek Apolonia në aspektin defensiv, ku skuadra pëson pak gola, por ka deficite në sulm, pak gola shënohen…

Jo të gjitha gjërat rregullohen njëherësh, në të njëjtën kohë. Nëse gjithçka do të ishte perfekte, ne nuk do të ishim në këtë situatë në renditje. Jua e quani “italianizim” ecurinë e mirë të mbrojtjes (qesh), por kjo gjë lidhet dhe me cilësinë e funksionimin e futbollistëve tanë që luajnë në prapavijë. Sota, Agiare e Diop kanë bërë mirë gjer tani dhe kanë harmoni ndërvepruese mes tyre. Sa i përket sulmit dhe golave të shënuar, mendoj se këtu duhet të bëjë më shumë e gjithë skuadra, sidomos mesfusha. Sulmuesit finalizojnë atë që prodhon ekipi, edhe pse duhet më tepër efikasitet dhe nga vetë ata.

Vazhdoni të mos keni një formacion fiks titullarësh dhe shpesh bëni ndërhyrje në momentin e fundit. Pse?

Sepse i qëndroj parimit tim: luajnë ata që janë në formën më të mirë. Pastaj ndryshimet në momentin e fundit ndodhin për shkak të gjendjes optimale të dy lojtarëve për të njëjtin pozicion, por edhe në varësi të specifikës së kundërshtarit. Për një trajner është mirë kur ka dilema të tilla në përzgjedhje, sepse ka edhe luksin për një stol më cilësor dhe në formë maksimale. Ky rrotacion te ne është normal në mesfushë, në repartin ku kërkohet për të bërë më shumë, sidomos në aspektin e krijueshmërisë për fazën sulmuese. Të gjithë punojmë për një skuadër më të mirë, më rezultative dhe për të arritur objektivin e mbijetesës. Besoj se kaq gjë skuadra ka mundësi ta realizojë, prandaj dhe vazhdojmë të jemi të gjithë bashkë në këtë mision.

Çfarë duhet pritur nga sfida me Kukësin?

Kukësi është Kukës, një skuadër që meriton pa hezitim gjithë respektin dhe vlerësimin tonë më të mirë. Me sa di unë, ata janë renditur kryesisht në dy vendet e para në kampionatet që kanë marrë pjesë, por kjo nuk na step dhe nuk luan rol në këtë ndeshje, pasi të dyja skuadrat do të përqendrohen vetëm në 90 minutat e radhës. Ata kanë ekip të fortë, por ne do të bëjmë Apoloninë më të mirë në fushë dhe do të luajmë për fitore, nuk e fshehim aspak dhe nuk i trembemi objektivit tonë të radhës.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"