EKSKLUZIVE/ Situata e tensionuar e Kombëtares, Starova: Panuçi gaboi, por FSHF nuk po e ndihmon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 19:02

EKSKLUZIVE/ Situata e tensionuar e Kombëtares, Starova: Panuçi gaboi, por FSHF nuk po e ndihmon

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” në numrin e ditës së sotme, trajneri Sulejman Starova flet edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, dhe vë veçanti për trajnerin Panuçi. Këtë të fundit e mbështeti publikisht kur mori kuqezinjtë, por tani mendon se ai po gabon në menaxhimin e situatave dhe se FSHF e ka lënë në baltë.

Starova ne kembe

T’ju pyes pak edhe për kombëtaren. Ju keni qenë një nga ata që e keni përkrahur publikisht Panuçin, por tani nuk është se i ka gjërat mirë…

Së pari, po ju them se si lojtar nuk e kam dashur asnjëherë. Ka qenë një futbollist mesatar që shfrytëzoi më së miri lidhjen me Kapelon. E kam vlerësuar për faktin që e ka vënë jetën e vet në terezi nga ana financiare dhe nuk erdhi këtu si nevojtar për lekë, por për të treguar se vlen edhe si trajner. Ndërsa profesionalisht gaboi në këto dy ndeshje për mënyrën sesi e menaxhoi situatën.

Pse gaboi?

Sepse nuk ka ditur të mbrojë veten e vet dhe nuk e kanë ndihmuar as ata që e kanë vendosur aty. E lejuan ta masakrojnë në kritika për dy ndeshje miqësore dhe vetë e krijoi situatën të tillë…

A mund të jeni pak më i qartë?

Shikoni, Panuçi vendosi të bëjë eksperiment të gjerë në këto dy ndeshje duke provuar lojtarë të rinj. Ai nuk kishte pse të premtonte as lojë bindëse dhe as rezultat, por mjafton të thoshte se do provonte lojtarë të rinj për të ardhmen. Që këtu situata do ishte zbutur. E rëndoi situatën vetë dhe mendoj se ky ishte një gabim trashanik, pasi ka cenuar harmoninë dhe ka krijuar një atmosferë aspak pozitive. Nuk mbrojti veten e vet dhe as Kombëtaren.

Pastaj duhet të keni parasysh se një trajner i zgjuar, në fillim përpiqet të luajë miqësore me skuadra të dobëta, pastaj pak më të forta e kështu gradualisht… Ka më shumë shanse të fitojë, të krijojë klimën e duhur dhe të mos rrezikojë kaq shumë. Edhe në këtë pikë Panuçi gaboi taktikisht dhe nuk e ndihmoi as FSHF. Por, gjithsesi e shoh që është kritikuar shumë më tepër sesa duhet. Shqiptarët kanë harruar se çfarë bëri De Biazi në fillimet e veta me kombëtaren tonë. Ndoshta ishte edhe më keq se ky… (Panuçi).

JETMIR HALILAJ

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"