EKSKLUZIVE/ Shok me Moise Ken, rrëfehet Filipoviç: Jam befasuar nga skuadra, ja pse Partizani mund të fitojë trofe (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 22:42

EKSKLUZIVE/ Shok me Moise Ken, rrëfehet Filipoviç: Jam befasuar nga skuadra, ja pse Partizani mund të fitojë trofe (E PLOTË)

Quhet Andrija, jo Andrij, si Shevçenko… Dje ka shënuar golin e parë me Partizanin dhe shpreson që të mos ndalet me kaq. “Mund të më quani edhe Andre, në Itali kështu më thërrisnin, madje më ngacmonin pak për Shevçenkon prej emrit”, thotë sulmuesi ekskluzivisht për “Panorama Sport” me një italishte perfekte.

ANDRIJA FILIPOVIC

Andrija është emri juaj i saktë?

Po, Andrija. Në Itali, aty ku kam jetuar për shumë vite, e kishin më për mbarë të më thërrisnin edhe Andre, por nuk më bezdiste. Ndonjëherë e ngatërronin edhe me Andrij si Shevçenko dhe lëshonin ndonjë batutë.

Nuk është keq t’ju krahasojnë me një legjendë si Shevçenko, edhe ai sulmues ka qenë…

E di kush është Shevçenko, por të mos e ekzagjerojmë. Unë jam ky që jam dhe përpiqem të bëj më të mirën time.

A e keni parë ndonjëherë Shevçenkon të luante futboll?

Vetëm në TV ose në “YouTube”. Unë jam pak i vogël. Di që ka qenë një nga sulmuesit më të mëdhenj të Milan

Ndërkohë, ju vetë keni qenë pjesë e akademive të Juventusit…

Po, kam qenë për një periudhë në vitin 2015. Ishte një eksperiencë e bukur, sepse aty mësoje realisht shumë gjëra.

Cilët ishin lojtarët që asokohe stërviteshin me ju dhe më pas u bënë yje?

Kam pasur një raport të mirë me sulmuesin Moise Ken dhe me portierin Emil Audero.

Si përfunduat te Partizani?

Shikoni, ne futbollistët nuk mund të planifikojmë çdo gjë. Unë kam qenë pjesë e Sienës në ekipin e parë, por nuk mund të luaj dot, sepse isha shumë i ri. Më pas kam luajtur te Gorica, NAC Breda në Holandë dhe te Mura. Te kjo e fundit fitova edhe titullin kampion. Më pas u shfaq si mundësi Partizani. Për mua është një skuadër e madhe ku mund të shpalos gjithë potencialin tim. Ka tifozë të mrekullueshëm dhe shpresojmë të arrijmë objektivat.

Ju keni shënuar golin e parë me Partizanin vetëm 2 javë pasi keni firmosur me këtë klub… Çfarë do të thotë kjo për ju?

Jam shumë i lumtur. Natyrisht, dua të shënoj sa më shumë në të ardhmen dhe dua ta bëj këtë, jo vetëm në Kupë, por edhe në kampionat. Ishte ndjesi e shkëlqyer

Me kaq informacion sa keni për futbollin shqiptar dhe kaq sa e njihni skuadrën tuaj të re, a është Partizani në gjendje të konkurrojë për titullin ose Kupën?

Unë mendoj që po. Skuadra ka potencial, ka eksperiencë dhe më pëlqen gjithashtu edhe stafi teknik. Bindja ime është që skuadra mund t’ia dalë sepse ka edhe mbështetjen e fuqishme të drejtuesve, por edhe tifozët e mrekullueshëm. Megjithatë, nuk mund të bëjmë premtime në këtë moment, sepse është vetëm fillimi.

Ju ku dëshironi të luani, në qendër të sulmit apo pak më i tërhequr?

Unë përshtatem si në rolin e numrit 9, por mund të luaj edhe si numër 10. Te Mura kam luajtur si sulmues i djathtë, por nuk e kam problem të luaj edhe në qendër.

Sa gola dëshironi të shënoni këtë sezon?

Sa më shumë të jetë e mundur, por mos më pyesni për shifra sepse nuk vlen të bëjmë parashikime, për të cilat jo gjithçka e kemi ne lojtarët në dorë. Për mua e rëndësishme është që të luaj mirë, të ndihmoj skuadrën dhe Partizani të arrijë objektivat. Duhet të punojmë dhe të mendojmë si skuadër, kjo është shumë e rëndësishme.

Si ndiheni me Zhuniorin në fushë dhe a mund të luani edhe në të ardhmen të dy bashkë?

Zhunior është lojtar që e njohin të gjithë në Shqipëri. Ka potencial dhe përpiqet gjithnjë që të ndihmojë. Pa dyshim që mund të luajmë të dy bashkë edhe në të ardhmen, por këtë e vendos trajneri. E rëndësishme për mua është që ndihem mirë në skuadër dhe kuptohem mirë me të. Për të tjerat më pas, duhet të qëndroj me këmbë në tokë.

Çfarë ju ka bërë përshtypje më shumë te Partizani?

Mënyra se si më kanë pritur dhe se si më kanë trajtuar këto dy javë, që nga drejtuesit dhe stafi, por mbi të gjitha shokët e skuadrës. Më kanë bërë të ndihem vërtet mirë dhe jam i lumtur për këtë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"